Nazmi Haxhi Muzliaj (12.8.1966 – 19.7.1998)

Nazmi Haxhi Muzliaj (12.8.1966 – 19.7.1998)

Fshati Orroberdë i Burimit i ka dhënë një kontribut të çmuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirim nga Serbia. Shumë të rinj e të reja të këtij fshati u ishin bashkuar radhëve të çlirimtarëve që nga ditët e para të luftës, duke i qëndruar besnikë aspiratës historike të brezave për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Fitoren e kësaj lufte, ata e vulosën me tytën e pushkës dhe me gjakun e dejve të zemrës. Ndër ata që u flijuan për atdheun e lirë ishte edhe dëshmori Nazmi Muzliaj, i lindur më 12 gusht të vitit 1966.
Nazmiun e karakterizonte një personalitet i veçantë, me cilësi të kompletuara të atdhetarit të devotshëm. Për të, asnjë sakrificë nuk mund të ishte e tepërt për lirinë e vendit e të popullit të tij. Prandaj, ai nuk kurseu mundin as djersën dhe as jetën që njëditë, Kosovën ta shndërrisnin rrezet e lirisë, të cilat që prej një shekulli nuk po arrinin t’i depërtonin retë e zeza të robërisë mbi qiellin e Kosovës.
Dëshmori Nazmi Muzliaj ishte rritur dhe edukuar me përkushtim nga prindërit, Haxhiu e Ruka. Pesë vëllezërit e tij: Haziri, Xhaviti, Ganiu, Hakiu e Milazimi dhe motra Hala, kishin një privilegj të veçantë për faktin se në mesin e tyre kishin vëllain, Nazmiun, i cili ishte burim frymëzimi e optimizmi për të gjithë. Ai bënte të ndiheshe i lumtur e i hareshëm edhe kur rrethanat ishin të pikëllueshme. Ai bënte të ndiheshe i fortë e i sigurt edhe në momentet kur fijet e shpresës ishin më të holla se kurrë. I tillë ishte ai gjatë tërë jetës së tij: si i ri, si student, por edhe si luftëtar lirie.
Nazmiu kreu shkollën fillore në Banjë, ndërsa të mesmen në Pejë. Studioi drejtësinë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, i bindur se në të ardhmen do të arrijë të ndajë drejtësinë e mohuar për popullin e tij. Mirëpo, me kohë do të bindet se drejtësia e popullit të robëruar buron vetëm nga gryka e pushkës. Dhe kjo do të jetë pushka shpëtimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lindjen e së cilës Nazmiu e përjetoi si ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tij. Pas qëndresës heroike dhe flijimit sublim të komandantit legjendar Adem Jashari, në epopenë e Marsit në Prekaz më 1998, atij iu rikthye përfundimisht shpresa e rilindjes së qenies kombëtare, e cila ishte sfilitur e rrëgjuar aq shumë në ato vite të gjata të robërisë serbe. Ai kishte bërë përpjekje që edhe përmes një rezistence pasive të dilej nga kjo gjendje e rëndë dhe për këtë arsye gjatë viteve ’90 ishte angazhuar në kuadrin e strukturës rinore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si kryetar i Forumit Rinor në Burim. Mirëpo, ky iluzion i ishte venitur sapo kishte krisur pushka çlirimtare në Drenicë jehona e së cilës u përhap shpejt edhe në zonat e tjera të Kosovës. Për këtë arsye, Nazmiu pa vonesë vë lidhjen me strukturat e UÇK-së dhe angazhohet pa hezitim në mbështetjen e saj, si në aspektin e logjistikës, ashtu edhe në atë organizativ me qëllim të shtrirjes dhe zgjerimit edhe në trevën e tij. Brenda një kohe të shkurtër ai, së bashku me bashkëveprimtarët e tij, Myrvete Maksutaj (dëshmore e kombit) Qazim Hakaj (dëshmor i kombit), Selman Zogaj e të tjerë kishte arritur të ofrojë rreth vetes e të organizojë shumë veprimtarë të fshatit, si Arton Zogaj (dëshmor i kombit), Nexhmedin Hakaj (dëshmor i kombit), Arben Muzliaj, Hysni Muzliaj, Sylë Muzliaj, Afrim Zogaj e të tjerë. Rekrutimi i këtyre të rinjve u bë përmes shtabit të Gllogjanit, përgjegjës për zonën operative të Dukagjinit. Përmes këtij shtabi organizohej edhe kalimi i kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë me qëllim të bartjes së armatimit për nevojat e formacioneve të UÇK-së. Në fillim të korrikut të vitit 1998, edhe Nazmiu dhe shumë bashkëveprimtarë të tij, si Qazim Hakaj, Nexhmedin Hakaj, Arton Zogaj, Arben Muzliaj, Sylë Muzliaj, Adem Zogaj, Hysni Muzliaj e të tjerë, niset për në Shqipëri. Ai ngarkohet edhe me përgjegjësinë për t’i prirë këtij grupi luftëtarësh.
Për shkak të urgjencës dhe radhës që diktonin rrethanat e asaj periudhe, Nazmiu me shokë u detyrua të qëndrojë disa javë në Tiranë e të presë deri në momentin e duhur për t’u kthyer në Kosovë, me armët dhe municionin ngarkuar në supe e në shpinë. Rrugën e kthimit për në Kosovë e merr në mesin e korrikut të vitit 1998. Megjithëse me lodhje e rraskapitje, rruga e gjatë deri në kufirin e hekurt ishte kaluar mirë. Kështu do të vazhdojë deri te Rrasa e Zogut, kur në orët e mëngjesit të 19 korrikut, fillon zjarri i pritave serbe në Padesh. Flakët e këtij zjarri përpijnë gurë e shkrepa dhe bashkë me ta edhe jetën e dëshmorit Nazmi Muzliaj. Përkrah tij bien edhe luftëtarë të tjerë, ndër të cilët edhe Arton Zogaj e Nimon Demaj. Ishte plagosur edhe kushëriri i Nazmiut, Arben Muzliaj.
Orroberda ende nuk kishte kuptuar se ç’kishte ndodhur në Padesh, prandaj vazhdonte të priste me padurim të ktheheshin bijtë e saj nga ajo rrugë e mundimshme e me plot rreziqe, sepse pastaj do të ndihej më e sigurt dhe më krenare. Mirëpo, nga kjo rrugë asaj nuk do t’i kthehet as Nazmiu dhe as Artoni. Ata ishin përjetësuar në altarin e lirisë te Rrasa e Zogut me armët e nderit në duar e në supe. Ata do t’i mungojnë Orreberdës, UÇK-së dhe fushëbetejave të saj, por do të bëhen frymëzim i fuqishëm i cili do të mobilizojë qindra e mijëra të rinj të tjerë t’u bashkohen radhëve të UÇK-së dhe me shembullin e tyre të trimërisë ta çojnë në vend misionin e shenjtë të çlirimit që kishin pasur Nazmiu, Artoni, Nimoni…
Varri ku prehej trupi i dëshmorit Nazmi Muzliaj u identifikua në shtator të vitit 1999, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Rivarrimi u bë në fshatin e lindjes me nderime të larta të UÇK-së dhe tërë popullatës së trevës së Burimit e më gjerë. Në shenjë nderimi, te shkolla fillore e fshatit Kaliçan është ndërtuar përmendorja në të cilën shklqejnë portretet e dëshmorëve Nazmi Muzliaj, Myrvete Maksutaj, e rënë në mënyrë heroike sipas shembullit të Nazmiut dhe Arton Zogaj, i rënë përkrah tij.
Dëshmori Nazmi Muzliaj, veprimtarinë e tij atdhetare e kishte shoqëruar me aktivitete të ndryshme kulturore e artistike. Ai shquhej me dhuntinë e krijuesit, prandaj u mor edhe me poezi, dramë e teatër. Ai bashkë me Myrvete Maksutajn e me Selman Zogajn, në mesin e viteve ’90 formon shoqërinë kuluro-artistike në fshatin Orreberdë, me emrin “Luigj Gurakuqi”, në kuadër të së cilës edhe zhvillon një aktivitet të dendur artistik. Ky aktivitet dhe krijimtaria tjetër artistike do të mbeten gjurmë të pashlyeshme për brezat e ardhshëm, që tregojnë jo vetëm si bëhet arti i jetës, por edhe arti i lirisë, me mbishkrimin Nazmi Muzliaj. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …