Dëshmori i kombit, Nazim Buduri, i t’ët Misinit dhe i nënë Selimesë, u lind më 16 nëntor të vitit 1973 në Hoçën e Qytetit të Prizrenit, në një familje shumë të varfër fshatare, por të njohur për gatishmëri deri në sakrificë për çështjen kombëtare. Xha Misini, edhe pse bari delesh, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbante lidhje duke i furnizuar me bukë dhe me material luftarak në male, pjesëtarët e formacioneve të organizuara që vepronin kundër ripushtimit serb e jugosllav të Kosovës, si dhe aq sa kishte mundësi mbante lidhje me organizatën NDSH dhe me Ballin Kombëtar. Në frymën e kultivimit të idealit kombëtar në gjirin familjar i edukoi edhe fëmijët, vajzat: Zejnijen, Myrveten, Xhylsimen, Fesneten, Sadeten dhe djemtë, Tasimin, Tafilin dhe Rexhepin. Dëshmori Nazim Buduri ishte i fundit prej vëllezërve dhe motrave.
Tërë familja e Misin Budurit ishte e ndjekur dhe e persekutuar nga regjimi okupues serb dhe policia e tij. Mjafton të themi se kulmin e maltretimeve kjo familje e përjetoi më 1997, kur sulmohej prej policëve të Zhurit në krye të të cilëve ishin Zharku dhe Branko Babiqi.
Shkollën fillore Nazimi e mbaroi në vendlindje, ndërsa pastaj, prej vitit 1995 deri në formimin e formacioneve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës punoi në një firmë private si punëtor krahu që t’i dalë zot t’ët, nënës, motrave dhe vëllezërve të lodhur nga skamja dhe varfëria. Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkua më 4 qershor të vitit 1998, në formacionin e Hoçës së Qytetit, asokohe arealja luftarake e Vrrinit, pasi që në radhët e kësaj ushtrie kishte dy vëllezërit: Tafilin dhe Rexhepin të cilët me kohë qenë sistemuar në radhët e luftëtarëve të komanduar nga Remzi Ademaj, komandant Petrit Kodra, në Shtabin e Vrrinit, ndërsa pas rënies heroike të Remzi Ademajt afër fshatit Grazhdanik të Prizrenit, formacionin e tij komandoi eprori Ekrem Rexha, komandant Drini. Tash krahas Tafilit e Rrustemit, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës radhitet edhe i katërti vëlla, Tasim Buduri. Heroizmi i Nazim Budurit, vendosmëria dhe përgatitja fizike i shkëlqenin në betejën e 16 korrikut të vitit 1998 te “Kullat e Hoçës”, e pastaj edhe në betejën e vijës Lez e Jeshkovë që filluan me 1 shtator dhe po me intensitetin e nisjes zgjatën deri më 5 shtator të vitit 1998.
Dëshmori i kombit Nazim Buduri në fillim ishte aktiv pothuajse në çdo sektor, por më 14 mars 1999, pas Betejës së Dytë të Jeshkovës të zhvilluar më 11 mars, kishte kaluar në Shqipëri. Me të arritur në Kukës ishte takuar me luftëtarët nga vendlindja e tij dhe të gjithë së bashku kishin kaluar në Kalimash, në bazën stërvitore ku Nazim Buduri stërviti deri më 14 prill të vitit 1999. Këtu, edhe ky si shumë bashkëluftëtarë të tjerë i përfundoi ushtrimet dhe stërvitjet përgatitore, për të shkuar më 14 prill në Frontin e Koshares.
Më 16 prill, luftëtari i lirisë, Nazim Buduri, ashtu si shumë luftëtarë që shpesh e thyenin Pashtrikun për të bartur armatim, u sistemua në Brigadën 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Në këtë brigadë, Nazimi u radhit në Batalionin e Dytë të Këmbësorisë, me të cilin komandonte eprori Fadil Hadërgjonaj. Në këtë areale luftarake, prej datës 9 maj të vitit 1999 kishte luftime të vrazhda pothuajse për çdo ditë, madje ngjante që militarët çetnikë serbë të sulmonin edhe nga dy e tri herë brenda njëzetekatër orëve. Mirëpo, edhe shpërthimi dhe thyerja e kufirit pritej për çdo çast, ndërsa Nazim Buduri shquhej për heroizëm e vendosmëri. Por më 21 maj, në orët e para të mëngjesit, ndërsa luftëtarët e lirisë po pushonin në kazermën e ish-ushtrisë jugosllave, të cilën e pati marrë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u përjetësua luftëtari i lirisë Nazim Buduri dhe kështu bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët e tij Bajri Shala dhe Esat Krasniqi, mbetën pa luftëtarin e e paepur të Jeshkovës.
Përcjellja për në amshim, edhe këtij dëshmori si shumë bashkëluftëtarëve të tjerë sot dëshmorë të kombit, iu organizua më 22 maj të vitit 1999 në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Koshares, ku për herë të fundit prej dëshmorit u nda luftëtari i lirisë, sot veterani Esat Krasniqi i Prizrenit.
Me rastin e përvjetorëve kushtuar dëshmorëve të Vrrinit, për dëshmorin e kombit Nazim Buduri qe shkruar në “Shkëlqimi i UÇK-së në trevën e Vrrinit”, Prizren, 2002, e pastaj një varg gazetash si “Kosova sot”, “24 orë”, “Burimi”, agjenicia “Kosovapres” e shumë të tjera.
E sot, në “Kullat e Hoçës” shkëlqen një lapidar që ruan shumë emra dëshmorësh krahas emrit të Nazim Budurit e në oborrin e shkollës fillore që mban emrin e këtij dëshmori, portreti i tij është i skalitur në bronz e këtë krenari e ruan edhe rinia e fshatit Hoçë e Qytetit e cila klubin futbollistik e emërtoi “Nazim Buduri”, ndërsa familja e dëshmorit ruan me krenari një uniformë ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rripin, jaknen ushtarake, një pako cigaresh dhe fasha për ndihmën e parë e të cilat i konsideron kujtimet më të ngrohta për të vëllain. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …