Nazmi Xhemajl Zhegrova (25.5.1975 – 15.9.1998)

Nazmi Xhemajl Zhegrova (25.5.1975 – 15.9.1998)

Familja Zhegrova, në Studime të Vushtrrisë ka ardhur nga fshati Llapashticë e Poshtme i komunës së Besianës. Kjo familje është shpërngulur nga vatrat stërgjyshore për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Mirëpo, edhe në vendbanimin e ri në Stanofc të Vushtrrisë nuk pati kushte më të mira për jetë. Këtu, përpos varfërisë kjo familje u përball edhe me disa probleme të tjera, të cilat do ta ndjekin deri në luftën e fundit.
Babai i dëshmorit, Xhemajl Zhegrova, nga pushteti serb u dënua dy herë dhe atë në vitin 1985 dhe 1988. Herën e parë ai u dënua me dy muaj burg për shkak të një konflikti që pati me fqinjët serb. Ndërsa në vitin 1988 u dënua po nga i njëjti pushtet me akuzën se gjoja fëmijët e tij kishin dëmtuar varrezat e serbëve, në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Dënimi dhe vuajtja me burg e Xhemajlit e bëri edhe më të rëndë jetën e kësaj familje, por nuk e theu moralisht.
Prindërit: Xhemajl dhe Adile Zhegrova përpos dëshmorit të kombit Nazmiut kishin edhe tre djem e dy vajza: Muharremin, Rrahmanin, Muzliun, Nazifen dhe Igballen.
Në këtë familje të varfër por trime e bujare në fshatin Llapashticë të Poshtme të komunës së Besianës, më 25 maj të vitit 1975, lindi Nazmi Zhegrova. Që në fillim të shkollimit të tij pushteti i atëhershëm i qiti pengesë dhe nuk ia lejoi shkollimin. Ai kreu vetëm katër klasë të shkollës fillore dhe më pas e larguan nga shkolla me pretekst se i kishte dëmtuar varrezat serbe. Të gjitha këto vështirësi nuk e gjunjëzuan as familjen e as Nazmiun e vogël, të cilit i vinte keq për vuajtjet e babit nga pushteti okupues serb. Jeta e Nazmiut dhe vëllezërve tjerë, por edhe gjithë familjes u vështirësua. Ata përballeshin me punë të rënda fizike për të siguruar ekzistencën.
Veprimet kundër pushtuesit që organizoheshin në atë kohë e gëzonin Nazmiun, ndërkohë që ai ishte pjesëmarrës i tyre si në Vushtrri, Besianë edhe në Prishtinë. Aktiviteti i tij që nga lëvizja studentore në Prishtinë në vitin 1997 ishte në rritje.
Me daljen publike të UÇK-së, Nazmiu gjen lidhje për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së. Kontaktet e para me pjesëtarët e UÇK-së i pati në pranverën e vitit 1998. Ndërsa pjesëtar i UÇK-së u bë në korrik të vitit 1998, kur si shumë të rinj nga Shala dhe Llapi u ngjit në malet e Shalës së Bajgores, atje ku bëheshin përgatitjet e ushtarëve të lirisë të këtyre dy zonave.
Nazmiu fillimisht rreshtohet në radhët e ushtarëve të Zonës së Llapit, në Bajgore ku edhe i kryen ushtrimet ushtarake. Ai kryente të gjitha obligimet dhe detyrat që i parashtroheshin nga eprorët. Ato i kryente me përpikëri, përgjegjësi dhe korrektësi të madhe. Tashmë ishte pjesëtar i Brigadës 152 “Shaban Shala“ të Zonës së Llapit, ku qëndroi deri në ditën e rënies dëshmor më 15 shtator të vitit 1998 në Betejën e njohur të Kaçanollit. Atë ditë hordhitë serbe, ia mësyn që të depërtojnë në Qafën e Kaqanollit nëpërmes të fshatit Gegaj (ish-Dobratin). Mirëpo në Rrafshnaltën mbi Gegaj apo siç e quajnë më shpesh, në Qafën e Kaqanollit, aty ku bashkohet Llapi me Shalë ishte e vendosur njësiti i UÇK-së. Në këtë njësit ishte edhe Nazmi Zhegrova me shokët e tij.
Aty i priste forcat e okupatorit, e cila qe zbrapsur për tri ditë me radhë që të mos depërtojnë në ato male. Forca të mëdha serbe për tri ditë me radhë, me 15, 16 dhe 17 shtator 1998, me një arsenal të madh të armatimit patën sulmuar pozicionet e UÇK-së në Qafën e Kaqanollit. Beteja e Kaçanollit, ishte një nga fitoret më të mëdha të UÇK-së jo vetëm në planin ushtarak por edhe atë moral. Kjo fitore e UÇK-së erdhi në një moment shumë të rëndësishëm dhe nga fitorja apo humbja e kësaj beteje varej shumë konsolidimi i radhëve dhe vazhdimi i luftës së UÇK-së në këto anë. Duke qenë të bindur për këtë edhe forcat serbe kishin nisur forca të shumta për të zhdukur UÇK-së në këtë pjesë.
Forcat okupatore serbe e dinin se plani i tyre “Patkoi” mund të realizohej shumë më lehtë, nëse nuk do të kishte rezistencë në Zonën e Llapit. Por llogarit u dolën gabim. Këtë ua prishën luftëtarët trima të UÇK-së, të cilët bënë një rezistencë të shkëlqyer dhe korrën një fitore të rëndësishme duke i shkaktuar forcave dhe makinerisë serbe një humbje shumë të madhe. Në mesin e këtyre luftëtarëve trima, ishte edhe Nazmi Zhegrova.
Edhe kjo betejë si shumë beteja tjera gjatë historisë dëshmoi se morali i lartë i luftëtarëve dhe dëshira e madhe e popullit për liri është më e fortë se tanket e armikut. Në këtë betejë u bënë bashkë dija ushtarake, sakrifica dhe heroizmi i luftëtarëve trima të cilët i dhanë UÇK-së një fitore të rëndësishme.
Armiku këtë ditë kishte nisur një ofensivë të gjerë në veriperëndim të rajonit të Llapit dhe disa fshatra të Shalës me qëllim të shkatërrimit të strukturës ushtarake të UÇK-së si dhe shkëputjes së lidhjeve mes dy zonave operative, Llapit dhe Shalës, që funksiononin në mënyrën më të mirë, por luftëtarët e UÇK-së ishin të përgatitur për një përballim të tillë. Ata ishin të vendosur të qëndronin deri në ushtarin e fundit, e të vdesin për liri. Ishte vullneti dhe morali i lartë i luftëtarëve të UÇK-së ai i cili nuk lëvizte dot nga pozicionet e tyre, sepse ata e dinin se kishin arsye për të vdekur, ngase i mbronin tokat e tyre stërgjyshore. Kjo betejë, ku shtatë dëshmor ranë në altarin e lirisë, UÇK-në e bëri edhe më të fortë. Morali i saj po ngrihej edhe më lart radhët e vullnetarëve për t’u radhitur në këtë formacion ushtarak u shtuan edhe më shumë, si dhe bindja e krijuar nga populli për UÇK-së ishin fakte që tregonin mjaft mirë për suksesin e Betejës së Kaçanollit.
Gjatë këtyre luftimeve ku forcat e UÇK-së treguan trimëri të rrallë dhe korrën suksese të mëdha bashkë me Fadil Sejdiun, Bekim Maliqin, Bekim Lushakun, Islam Rekaliun, Habib Zekën, Selim Rekaliun, ra në vijën e parë të frontit edhe Nazmi Zhegrova.
Pas betejës, me nderime ushtarake, trupi i tij është varrosur në varrezat e Zhegrovëve, ndërkohë rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në Stanofc të Poshtëm. Në lapidarin e vendosur ku u zhvillua beteja, në Qafën e Kaçanollit, bashkë me shokët e tjerë ndodhet edhe emri dhe fotoja e tij. Pllaka është ngritur edhe pranë varrit të tij në Stanofc të Poshtëm.
Familjes së dëshmorit Nazmi Xhemajl Zhegrova i ka dhënë mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …