Në fshatin e tij të lindjes, në Makërmal të Skenderajt, me nderime të larta ushtarake u varros, kapiten Sahit Goxhuli, ish-pjesëtar i Batalionit të Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, në Burim. Sahit Goxhuli për në banesën e tij të fundit u përcoll nga Togu Ceremonial i FSK-së, pjesëtarët të Batalionit të tij dhe të Brigadës për Reagim të Shpejtë, të FSK-së, kolegë të tij të shumtë, nga Rifat Jashari, deputete të Kuvendit të Kosovës, komunarë, familjarë e veteranë, si dhe shumë qytetarë të Skenderajt, Drenasit dhe të Kosovës.
Nga ora 15:00-16:00, arkivoli me trupin e kapiten Goxhulit, ishte vendosur në Hollin e Shkollës Profesioanle në Skenderaj, ku u bënë homazhe, në nderim të tij, kurse nga ora 17:00, filloi ceremonia e varrimit në fshatin Makërmal. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe zëvendës ministrat e MFSK-së, Fadil Gashi e Muhamet Latifi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahamam Rama, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore kolonel Naim Haziri, komandanti i BRSH-së, kolonel Xhevahir Geci si dhe oficerë dhe nënoficerë të shumtë të MFSK/FSK-së. Në emër të FSK-së, nënkolonel Mehmet Lladrovci (komandanti i Batalionit të Dytë të BRSH-së) i shprehu ngushëllime familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve dhe më pas, foli për jetën dhe veprën e kapiten Sahit Goxhulit, ku ndër të tjera, tha: “Sahiti një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare; Lirisë dhe ndërtimit të Forcës, për të cilën populli ynë punoi dhe sakrifikoi ndër shekuj. Për këtë, Ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillim duke qenë i vetëdijshëm plotësisht se rruga e vetme për çlirim ishte rruga e luftës së armatosur. Si pjesëtar i saj, luftoi dhe udhëhoqi luftëtarët drejt realizimit të endrrës shekullore të popullit tonë për një Kosovë të lirë dhe të pavarur”.
Ndërsa pas çlirimit të vendit Sahiti nuk e ndali punën dhe angazhimin e tij në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës për ndërtimin e themeleve të Ushtrisë së ardhshme të Kosovës.
Në fund, Nënkolonel Lladrovci tha: “ Sahiti ishte shembull për të tjerët për gatishmërinë dhe vullnetin për të ndërtuar kapacitetet ushtarake të Forcës; për punën, diciplinën, profesionalizimin dhe angazhimin në përmbushjen e detyrave. Si komandant i tij, ndjej krenari të madhe që pata një oficer të zotin i cili dha një kontribut të çmuar në ngritjen dhe profesionalizimin e Batalionit të Dytë të BRSH-së, dhe në përgjithësi të FSK-së.
Ndërsa, në emër të veteranëve të luftës të Skënderajt foli kryetrai Hysni Ngucati, i cili pos tjerash tha, se Sahit Goxhuli në moshë të re iu bashkua Ushtrisë Clirimtare në Brigadën 113 Mujë Krasniqi, ku si pjesëtar i saj mori pjesë në shumë beteja dhe i cili do të mbetet shembull i një ushtari luftëtar për brezat e ardhshëm. Ndërsa në emër të familjes falenderoi Shaip Goxhuli.
Në fund të ceremonisë, mbi varrin e kapiten Goxhulit, zëvendës ministrat: Gashi, Latifi, gjeneral Rama, gjeneral Brahimaj, kolonel Haziri dhe Geci, vendosen kurora lulesh, kurse djalit të tij, 9 vjeç, ia dorëzuan Flamurin e Republikës së Kosovës me të cilin trupi i Sahitit u përcoll për në banesën e fundit.
(Sahit Goxhuli u lind më 24.02.1977 në fshatin Makerrmal, komuna Skenderaj. Shkollimin fillor e kreu ne fshatin e lindjes, të mesmen në Skenderaj, kurse studimet në Shkencat Politike i kreu në Universitetin e Prishtinës. Sahiti ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku veproi në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës. Pas transformimit të UÇK-së inkuadrohet në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) në Gardën e Kosovës. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) Sahiti shërbeu në Batalionin e Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë në Istog, me gradën Kapiten. Si pjesëtarë i FSK-së, Sahiti ka dhënë një kontribut të çmuar në ngritjen dhe profesionalizimin e saj. Kapiten Sahit Goxhuli pas vetës ka lënë gruan dhe dy fëmijë; vajzën 11 vjeçe dhe djalin 9 vjeç.
Kapiten Sahit Goxhulin ndërroj jetë dje, (10. 08. 2016) si pasojë e një aksidenti, në kohën, kurr ishte nisur për të shkuar në punë).