Në moshë të shtyrë të pleqërisë, u nda nga jeta Nënëmadhja, Salë Kelmendi, një nënë e gjyshe, të cilën gjatë tërë jetës e kanë rrahur furtunat e pamëshirshme e të pa ndërprera, por kurrë dhe asnjëherë nuk e kishin thyer.
E lindur dhe e rritur në një familje të varfër por fisnike e atdhetare, ajo edhe pse e pa arsimuar, si të gjitha femrat e asaj kohe, në familje e në rrethin e saj ishte pajisur me një edukatë kombëtare e patriarkale. Po me atë “pajë” tradite atdhetare, i kishte edukuar edhe bijtë e bijën e vetme, duke iu treguar ngjarje e ndodhi nga e kaluara dhe duke i frymëzuar me aktet e veprave të trimave e trimëreshave, që kishin dhënë jetën për liri e Atdhe.
Nënë Sala, i përket “armatës së madhe” të nënave të dëshmorëve, të cilat kanë edukuar e frymëzuar bijë e bija, për t’ i dalë zot atdheut dhe për të mos iu nënshtruar pushtuesve e robëruesve.
Të papriturat e jetës kurrë nuk e kishin befasuar, sepse ajo ishte kalitur me to, sepse me kohë e kishte kuptuar se populli e do lirinë, ashtu si bima ujin e rrezet e diellit, por liria e ka çmimin e shtrenjtë, pasi ajo do heronj e dëshmorë, të cilët janë digat që i përballojnë uraganeve dhe vihen në themelet e lirisë e pavarësisë së një kombi.
Sot me rastin e ndarjes nga jeta nuk mund të mos i përmendim çastet kur ajo me bashkëshortin e saj, Sadikun rrugës së kthimit nga Gjermania, ishin ndalur në Kazermën e Paraqinit, në Serbi për ta vizituar djalin, Azizin, i cili ishte në ditët e fundit të shërbimit të dhunshëm ushtarak. Po në vend se ta shihte e ta shtrëngonte të gjallë në gjirin e saj, ajo merr lajmin se djali nuk është në mesin e të gjallëve.
Pastaj, dhuna shumëfishohet dhe pasohet me një fushatë të egër të regjimit e besnikëve të tij. Një regjim i tërë kundër një familjeje.
E nënë Sala kishte detyrë të qëndronte të iu jepte zemër bijve dhe bijës, pa marrë para sysh dhunën dhe represionin mizor, sepse jeta duhej në vazhdonte, sepse rruga drejt lirisë nuk mund të ndërpritej, sepse jeta është luftë e pandërprerë…
I lehtë është dheu i Kosovës për Nënëmadhen, Salë Kelmendi!
Ahmet Qeriqi