Në nëntor të viti 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën e harmonizuar nga grupet parlamentare për shtesat e fëmijëve, me të cilat parashihet që fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare, çdo muaj t’u jepen nga 10 euro. Edhe pse ishte premtuar që ndarja e shtesave të fillojë gjatë vitit 2019, kjo nuk ndodhi. Mentor Morina, nga zyra për Informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se pasi është përpiluar koncept-dokumenti, pritet se cila do të jetë qasja e qeverisë së re ndaj këtij procesi. Ende nuk ka filluar shpërndarja e shtesave për fëmijë në vlerë prej 10 euro, të premtuara që nga viti i kaluar. Madje, ato nuk do t’i marrin të gjithë fëmijët në Kosovë, thekson ai. Sipas tij, shtesat do t’u takojnë vetëm fëmijëve të familjeve me të ardhura më të ulëta.
