Ekspozimi i gjatë ndaj ajrit të ndotur në Ballkanin Perëndimor mund të ulë fertilitetin e femrave në më shumë se 10%; gjasat për të mbetur shtatzënë zvogëlohen gjatë ditëve me ndotje të lartë, ndërsa mundësia e abortit rritet, deklaroi Fondi Evropian për Ballkanin, i cili me partnerë në rajon po implementon kampanjën “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër”.
Këtë muaj, faza e dytë e kampanjës përqendrohet në informimin e qytetarëve për rënien e fertilitetit dhe shkallën gjithnjë e më të lartë të sterilitetit në mes femrave dhe meshkujve të shkaktuar nga ndotja e ajrit në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Vendet e rajonit po regjistrojnë një rënie të vazhdueshme të popullsisë.
Hulumtimet shkencore kanë konfirmuar se shpeshtësia e abortit dhe lindjeve të vdekura është dukshëm më e lartë gjatë një periudhe ekspozimi ndaj ajrit të ndotur. Studimet tregojnë gjithashtu se femrat që jetojnë në zona të kontaminuara kanë më pak vezë vitale, shkallë më të ulët të fertilitetit dhe shkallë më të lartë të dështimit të implantimit të embrionit gjatë fekondimit in vitro krahasuar me ato që nuk janë të ekspozuara ndaj ndotjes së ajrit. PM 2.5 zvogëlon lindshmërinë tek femrat dhe qytetet e ndotura në të gjithë rajonin emetojnë mesatarisht dyfishin e vlerave të lejuara vjetore, gjë që mund të ulë lindshmërinë deri në 10%.
Tek meshkujt, ndotja e grimcave arrin testikujt, duke shkaktuar një ulje të prodhimit të spermës, më pak lëvizshmëri të spermës dhe aborte më të shpeshta për shkak të vdekjes së programuar të qelizave. Komponimet sulfate që formohen në procesin e djegies së qymyrit rrisin rrezikun e abortit deri në 13%. Steriliteti shkaktohet edhe nga ndotja plastike. Polistireni, një lloj plastike që në gjendjen e tij mikro dhe nano mund të gjendet në ushqim, ujë dhe ajër, ndikon në zhvillimin e hershëm të embrionit dhe më vonë mund të shkaktojë zhvillim jonormal dhe lindje të parakohshme.
Ndotja e ajrit, metalet e rënda, mikro dhe nano plastika dhe substanca të tjera çojnë në rritje të shkallës së abortit edhe në rastet e fekondimit in vitro, pasi ul shkallët e suksesit në laboratorët ku kryhet ky proces.
Pjesëmarrësit në kampanjë përsërisin thirrjen e tyre për një zgjidhje urgjente të problemit kronik të ndotjes së ajrit që po vret njerëzit në vendet e Ballkanit Perëndimor:
* Braktisja e përdorimit të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike është masa më e rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe zëvendësimi i kaldajave shtëpiake me zgjidhje më të pastra mund të luajë gjithashtu një rol të rëndësishëm.
* Zbutja e efekteve të dëmshme të ndotjes së ajrit duke reduktuar përdorimin e plastikës njëpërdorimshme, si dhe duke zëvendësuar fibrat sintetike me ato natyrale.
* Institucionet kompetente duhet të punojnë në politika për promovimin e shtatzënisë së shëndetshme, në mënyrë që të përmirësojnë njohuritë e femrave dhe meshkujve për këtë proces dhe të ndihmojnë nënat e ardhshme që të mbrojnë më mirë veten dhe fetusin.
* Është e nevojshme të sigurohen filtra ajri të brendshëm me efikasitet të lartë, veçanërisht për institucionet kompetente që merren me trajtimin e infertilitetit.
* Është gjithashtu i nevojshëm përmirësimi i kapaciteteve të qendrave diagnostikuese si dhe kryerja e studimeve të përbashkëta që do të përdorin të dhënat e monitorimit dhe matjes së pasojave të ndotjes së ajrit në infertilitet, lindje të parakohshme, fillimin e sëmundjeve dhe vdekshmërinë foshnjore në Ballkanin Perëndimor.
Një analizë e efekteve të dëmshme të ndotjes së ajrit në fertilitetin tek femrat dhe meshkujt në rajon është bërë për kampanjën “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” nga Miodrag Stojković, një profesor i shquar i gjenetikës njerëzore dhe themelues i spitalit special për trajtimin e infertilitetit në Leskovc. Ai paralajmëroi se pa veprime nga ligjvënësit dhe autoritetet kompetente nuk mund të ketë sukses në parandalimin e sëmundjeve të lidhura me ndotjen – përfshirë infertilitetin. Megjithatë, nuk ka pasur përparim në këtë fushë vitin e kaluar dhe qytetet në rajon mbeten në krye të listave ndërkombëtare të qyteteve më të ndotura.
Kampanja “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” u bën thirrje qytetarëve nga Ballkani Perëndimor që t’i bashkohen luftës së përbashkët drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit, uljes së infertilitetit dhe përmirësimit të shëndetit të fëmijëve.
Fushata “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” u iniciua nga Fondi Evropian për Ballkanin në partneritet me këto organizata: Eco Forum nga Zenica, Instituti i Menaxhimit të Territorit Mjedisor nga Tirana, Sbunker dhe Balkan Green Foundation nga Prishtina, Air Care nga Shkupi, OZON nga Podgorica, Instituti Rregullator i Energjive të Rinovueshme dhe Mjedisit dhe Shkolla e Hapur e Beogradit nga Beogradi. Kampanja zhvillohet për të dytin vit radhazi, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve të rajonit për shkaqet dhe pasojat e ndotjes, mënyrat e mundshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe luftën për një mjedis më të shëndetshëm. “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal për transformimin e industrisë së energjisë dhe sistemit të mbrojtjes së mjedisit, i cili do të përmirësonte si ekonominë ashtu edhe shëndetin publik.
Për më shumë informata rreth kampanjës, kontaktoni [email protected]