Shqiptarët po e lënë këtu ku është Shqipërinë dhe vetë po ikin për në BE, këmbë, me makina të rastit, udhë e paudhë, me një trastë hallesh mbi supe. Vetëm politika e Tiranës flet gjuhën e integrimit europian si një shpresë e shqiptarëve, por se kur do të ndodhë kjo e mirë, askush nuk e di. Ikja është bërë kryefjala e ditës në anët e Verilindjes. Gjermania shihet nga të ikurit si parajsa që do t’i bëjë ata me të ardhura e kushte normale jetese. Duket se asgjë nuk e ndalon më këtë ikje të paralajmëruar. Ndaj është një pranverë e trishtë kjo e Kukësit kësaj here. Me hijet e eksodit varur mbi Gjallicë. Sa herë vete mes kuksianëve qëndron para këtij mali si para një hyjnie, e kundron atë me adhurim nga këmbët e zhytura në blerim te kryet e mbuluar me kësulën e bardhë të dëborës, por nuk ndihesh i frymëzuar nga pamja madhështore e tij, përkundrazi je i shqetësuar prej ikjeve të njerëzve rreth e qark tij, përfshi dhe nxënës të shkollave. Thonë se janë 4000 mijë vetë që kanë lënë shtëpitë deri tani dhe kanë kapërcyer kufirin, postbllok më postbllok, drejt Frankurtit etj. Plot me njerëz sportelet e agjencive të udhëtimit në Kukës. Plot me nevojtarë dhe sporteli i zyrës së pasaportave. Po nuk është vetëm Kukësi. “Edhe Tropoja ka eksod të madh këto ditë, paçka se nuk thuhen shifra”, na thotë një kolegu ynë tropojan, që ka ardhur në Kukës në një seminar gazetarësh. Nuk i numëron njeri të ikurit apo nuk shpallet numri i tyre? Keq në të dyja rastet.
Ke parë që ka ardhur Presidenti i Republikës para pak ditësh, është ngjitur deri në Shishtavec, ka kuvenduar gju më gju me banorët, por çfarë ndodh përtej vëmendjes së kreut të shtetit? A është shteti i gjithi në këmbë për ta frenuar këtë ikje të pazhurmshme që nuk dihet se kur e ka fundin. “Njerëzit po ikin, kush do t’i votojë kandidatët”, shkruan jo pa ironi në rrjetin social një gazetar i këtij rajoni. Është duke afruar sezoni i verës dhe normalisht banorët e këtyre vendeve diellore duhej të ishin duke u bërë gati të prisnin turistët e Europës, në shtëpitë e tyre, ndërkohë që ata ikin nga sytë këmbët, në kërkim të një fati më të mirë. Ikin nga varfëria që nuk ka një tjetër emër kjo në këto kreshta mbijetese. Ikin se ua shpif politika që nuk u afron shpresë. Njerëzit gjithandej shprehen jo me ndonjë vlerësim kushedi për kandidaturat për kryetarë bashkish. Nuk është se bëjnë ndonjë dallim mes tyre, në mos diferencat janë të vogla, pa folur për paralajmërimin që bën ambasada amerikane se dhe në radhët e tyre ka njerëz me të shkuar kriminale. Çfarë mund të presësh nga një politikë që njerëzve nuk u çon te kutitë e votimit 120 emra të besuar prej tyre se mund ta çojnë përpara lokomotivën e ndryshimit?
Nuk janë gjithnjë studiot televizive të Tiranës mënyra më e mirë për të folur me publikun. Është terreni real dhe jo ai virtual “logu” i kuvendit të qeveritarëve me popullin. Ke pritur se mos këto ditë Kryeministri do të shkonte në Kukës, Has apo Tropojë bashkë me ministrat e kabinetit qeveritar e të shtrohej me njerëzit, drejtuesit vendorë, ke pritur se mos do të kishte dhe ndonjë mbledhje pa shumë protokoll të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, vetëm për ikjet! Mirëpo jo, asgjë nuk e lëviz axhendën qeveritare nga binarët e së zakonshmes. Të kishte ndodhur ndonjë përmbytje si në Vlorë dy muaj më parë a shpërthim gazi si në Marinzë, të gjithë do të kishin vrapuar për të stabilizuar situatën, kurse për fshatrat që po braktisen nga banorët e fundit, që është përtej çdo përmbytjeje, orteku a tërmeti, nuk e prish askush gjumin. Nuk është realiste dhe e ndershme të thuash se këta njerëz janë pre e mashtrimit të trafikantëve dhe aq. Se e njëjta pamje migratore është dhe në Serbi e vende të tjera të rajonit. Se kjo ka të bëjë me shanset që krijon lëvizja e lirë etj. Nuk na duken me shumë brumë dhe disa opinione të ngjashme analistësh dhe historianësh që merren me Shqipërinë. Kjo është të lash duart me një problem të madh social, politik e moral, të mos ua vësh dukurive emrin që kanë. Ikja ka një mijë shkaqe, por ka dhe vetëm një, keqqeverisjen e qendrorëve e vendorëve prej kaq vitesh. Mungesën e zotësisë së qeverive për t’i mbajtur njerëzit të lidhur pas punës në trojet e tyre. Ikja nuk ka filluar sot, veçse po “kurorëzohet” në mënyrën më të rëndë ikja e pamëshirshme dhe e pandalshme 25-vjeçare. Frazat stereotipa kinse diplomatike që e maskojnë këtë të vërtetë tronditëse nuk vlejnë për asgjë. Mbi një milion shqiptarë sot nuk janë më këtu. Por a bën ndokush analizë për çdo zonë? Një nga kuadrot e Nikaj-Merturit na thotë se kanë mbetur vetëm 600 banorë në krejt atë zonë alpine nga më vitalet e Shqipërisë. Si të mos ikin kur dhe një luginë si ajo e Valbonës është betonuar e gjitha, dhe pse në bazë të vendimeve të qeverisë atje duhet të ndërtohen vetëm ngrehina druri? Duket se çdo gjë në këtë vend bëhet mbrapsht, përgjysmë, sakat. Tropoja është e “përmbytur” nga ujërat natyrore, që në gjysmën e botës së etur nuk i gjen t’i blesh as me flori, kurse qyteti i Bajram Currit nuk ka ujë 24 orë, pasi ujësjellësi i ri nuk është ende plotësisht funksional.
Si është e mundur thua që ky rajon i vendit të gjendet në këtë ditë sot pas 6 vitesh kur është ndërtuar Rruga e Kombit, e cila nuk solli “mrekullinë” e pritur në anën ekonomike. Gjasat janë që vizioni për këtë arterie nuk u projektua siç duhej nga biznesi dhe faktorët e zhvillimit ekonomik. Aksi nga Miloti në Morinë nuk u kthye në një zonë zhvillimi me përparësi, pati një soj biznesi spontan anash rrugës, por nuk u shkua më tej. Kukësi vazhdon të jetë një vend ku shkruhen libra me vlerë, por nuk ka një librari për to! Nuk mbërrijnë aty as librat e Prishtinës dhe as ato të Tiranës. Ashtu siç i gjithë Bajram Curri ka vetëm një bankë. Pa folur për estradë, teatër, kinema që as nuk përmenden. E shumta, gjallërohen me raste ansamblet folklorike të trevave, por dhe ato pa kurrfarë mbështetje financiare, megjithëse jo rrallë herë me artistë të kalibrit kombëtar. Janë edhe këto arsye për të ikur e mos ndenjur në periferi të tilla, dhe pse të pakrahasueshme për nga klima, natyra, freskia dhe ekologjia. Kujt i duhet kjo qetësi olimpike e këtyre bjeshkëve, pa njerëz, rikthimi në të kaluarën ekzotike, ku dhe kreshnikët nuk bëjnë më “sherr”? Ky është një gjumë që e vdes këtë tokë sa të bekuar, aq dhe të nëmur.
Nuk ka emër, veçse zhbimje, drama e ikjes së njerëzve që kanë pasuri nën tokë dhe mbi tokë, mirëpo për këto thesare përnjëmend flasin vetëm idealistët, gazetarët, artistët, shoqatat e ndryshme, që pak kush ua vë veshin nga të mandatuarit për të qeverisur. Diskutonte me nerv qytetar dhe intelektual një forum i gazetarëve të këtij rajoni se si këto problematika t’u paraqiten sa më me profesionalizëm kandidatëve për kryetarë bashkish: cilat janë politikat për turizmin, mjedisin, pyjet, trashëgiminë kulturore, minierat, fermerët etj., por a do t’i marrin seriozisht ata dhe stafet e tyre propozimet nga baza? A do të ketë premtime për gjëra konkrete apo fjalimet elektorale në ditët që vijnë do të notojnë në ujëra të përgjithshme? Është rasti që tani t’u shkëputen ca premtime, për librari, terrene sportive, qendra kulturore, parqe urbane, ujësjellës, landfille, ku publiku duhet të jetë “aksioneri” kryesor. Propozimet janë të natyrave nga më të ndryshmet, nga qendra e qytetit deri në majë të malit. Tropojanët pyesin se çfarë do të bëhet me 43 mijë ha pyje të rrethit të tyre apo 2600 ha gështenjë, që janë përndarë në “pyje” të vegjël mes familjarëve, ku kjo pasuri kështu vërtet ruhet, por nuk zhvillohet njëtrajtshëm si pasuri kombëtare. Apo gjer shtypi zviceran ka shkruar për zhdukjen e kumbullës së famshme të Tropojës. Është lënë të degradojë vreshtaria tradicionale e malësorëve, edhe pse natyra ka qenë aq bujare në bimësi, ku vetëm Gjallica ka tri bimë endemike apo Kolshi që krenohet si i vetmi vend ku gjendet tulipani shqiptar. Ide ka shumë, por projekte dhe nisma zhvillimi ka pak. Flitet dhe për turizmin liqenor të Komanit dhe Fierzës, veçse tani për tani si për një ëndërr të bukur. Po me Hasin ç’do të bëhet, me miniera të rrezikshme dhe pak punësim përtej kufirit në Gjakovë? Sërish do të mbetet një legjendë e gurtë dhe e thatë mbijetese? 19 mijë punëtorë kanë pasur dikur minierat e Qarkut të Kukësit, që do të thotë se të paktën kaq rroga hynin në shtëpitë kuksiane, hasjane dhe tropojane. Kurse tani vetëm disa gropa minerare ku nuk mungojnë dhe vdekjet nga aksidentet që, për ironi të fatit, ndonjëherë raportohen si infarkte!
Nuk e dimë sa këto gjëra jetike do të rrihen në këtë fushatë, a do të munden votakërkuesit të qartësojnë diçka rreth perspektivës së këtij rajoni të varfër të vendit, që zyrtarisht, me terma administrativë, nuk u bë dot rajon, duke humbur kështu projekte rajonale zhvillimi, që Bashkimi Europian i ka për zemër. Një mënyrë dhe për të frenuar eksodin. Njerëzit ikin për atë që u mungon. Dhe e para gjë që ata nuk kanë këtu është besimi. Ndaj tingëllon cinike shprehja “Guri i rëndë peshon në vend të vet”. Ka njëzet e pesë vite që “guri” shqiptar peshon më shumë në dhé të huaj. (Gazeta shqip)