Në kuadër të aktiviteteve në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sot në Besianë u zbulua shtatorja e heroit dhe prijësit të “Çetës së Llapit”, Ali Ajeti, i rënë në vitin 1989. Në ceremoninë e zbulimit të shtatores, që u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Agim Veliu, e ku ishte i pranishëm edhe ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nëna dhe familjarët e heroit Ali Ajeti, përfaqëues institucionesh qendrore dhe lokale dhe qytetarë të shumtë, u vlerësua lart angazhimi politik dhe sakrifica deri në rënie e heroit Ali Ajeti. Kryetari Veliu tha se zbulimi i shtatores së heroit Ali Ajetit përkon me një përvjetor të rëndësishëm – festën e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. “Sot, ndërsa përkujtojmë veprën e Ali Ajetit, ne përkujtojmë edhe rrugën e gjatë e të mundimshme që ky popull kaloi nga robëria në liri. I hershëm ishte angazhimi politik i Ali Ajetit kundër shtypjes së shqiptarëve në Kosovë gjatë regjimit komunist në ish-Jugosllavi”, tha ai. Veliu tha se Ali Ajeti dhe grupi politik e i armatosur “Çeta e Llapit” janë nismëtarë të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Kontrolloni gjithashtu
Isni Kilaj rikthehet në politikë si kandidat për deputet nga NISMA
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka prezantuar Isni Kilajn si kandidatin e ri për deputet …