Prej Epopesë lavdiplote, çlirimtare dhe fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, asnjëherë nuk pushuan përpjekjet e liridashësve shqiptarë për t’u çliruar nga Perandoria Osmane, e cila për 500-vjet rresht mbajti nën robëri, jo vetëm Shqipërinë, por tërë Ballkanin, një pjesë të madhe të Evropës dhe shumë shtete ndër më të fuqishmet të botës. Përpjekjet e përgjakura dhe të pareshtura të shqiptarëve për të krijuar një shtet kombëtar, që do të përfshinte të gjitha territoret me shumicë etnike shqiptare, shënuan një kthesë afirmative, sidomos me Lidhjen shqiptare të Prizrenit, të qershorit të vitit 1878, datë kjo që kishte shënuar një moment krucial gjatë të cilit të gjitha energjitë e popullit tonë, patriotizmi i tij i pashoq, dashuria për Atdheun, për tokën, për gjuhën, përpjekjet e tij politike dhe diplomatike e bashkuan atë si një grusht të vetëm për t’u bërë ballë turqve, serbëve, malazezve, gjermanëve, austro-hungarezëve, grekëve, sepse që të gjithë këta së toku ishin bashkuar kundër popullit shqiptar.
Prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u deshën edhe 34 vjet deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912. Atëbotë shtetet fqinje të përkrahura nga Rusia Cariste dhe shumica dërrmuese e shteteve të Evropës, lejuan Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë të aneksonin dy të tretat të territorit shqiptar, të cilin e mbajtën nën okupim për afër një shekull.
Më 17 shkurt të vitit 2008, rreth 120 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kosova shpalli pavarësinë dhe me këtë akt historik u krijuan dy shtete shqiptare në Ballkan, ndërkohë që jashtë Shqipërisë dhe Kosovës kanë mbetur një pjesë e Shqipërisë Verilindore, sikur janë trevat etnike shqiptare në ish-RJ të Maqedonisë, Kosova Lindore dhe viset shqiptare në Mal të Zi, si dhe trojet etnike shqiptare në Greqi.
Prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kanë kaluar 137 vjet dhe shqiptarët, ende nuk janë bashkuar në një shtet të vetëm, sikur janë bashkuar qysh moti në krijimin e shteteve të tyre kombëtare: grekët, bullgarët e Serbët e popujt e tjerë të rajonit të Ballkanit e më gjerë. Programi kombëtar i LSHP-së ka avancuar në deceniet e fundit, por ende nuk është realizuar në tërësi.
Sot në këtë përvjetor, gati 100 vite pas vrasjes në Podgoricë, do të varrosen eshtrat e Isa Boletinit në vendlindjen e tij në Boletin. Kanë kaluar 137 vjet nga koha kur Isa trimi në moshën 17-vjeçare kishte marrë pjesë në luftime në Koshare dhe Slivovë të Shtimes, më 20 dhe 21 prill të vitit 1881. Dhe, kush do ta besonte se djaloshit shtatgjatë nga Boletini do t’ i duheshin 137 vjet për t ia kthyer eshtrat në vendlindje. Këto raste, këto ndodhi epike-homerike ndodhin vetëm te shqiptarët.
Sot në Boletin pas një ceremonie treditore në Kosovë, eshtrat e heroit varrosen në vendlindjen e tij, në Boletinin historik, i cili ende ka mbetur një zonë e padefinuar, nën një komunë të Kosovës me shumicë serbe.
Të besojmë se shqiptarët liridashës, kudo ku jetojnë me shumicë, në trojet e tyre etnike, nuk do të reshtin së punuari e së angazhuari për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare, drejt bashkimit dhe krijimit të një Shqipërie të tërë, (qoftë ajo që quhet natyrale, etnike apo e madhe) mbi baza të parimit etnik dhe kurrsesi mbi baza të mulietnicitetit të neveritshëm, pjellë kopile e bashkim vëllazërimit të kohës së robërisë së zezë shumëvjeçare nën Jugosllavinë tashmë të shkatërruar në tërësi dhe të mbetur në kujtesën e popujve si një burg i rëndë, veçanërisht burgu më i rëndë kolektiv i shqiptarëve.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 na sjellë në kujtesë të kaluarën e lavdishme të gjyshërve tanë, të cilët me mund e gjak ruajtën e çliruan aq sa mundën, dhe në mos më shumë, ata na mësuan si luftohet dhe si duhet rënë për atdhe, na mësuan si nuk duhet të hiqet dorë kurrë nga aspiratat e lirisë, barazisë, drejtësisë mbi parime të reciprocitetit dhe të bashkimit kombëtar, e drejtë e natyrshme dhe e ligjshme e çdo kombi kudo në botën e qytetëruar.
137 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ne përkujtojmë me pietet dhe respekt heronjtë dhe dëshmorët, të gjithë ata, të cilët gjatë kësaj periudhe historike kanë rënë në altarin e Atdheut, apo kanë udhëhqur proceset në bërjen dhe ruajtjen e shtetit shqiptar. Përkujtojmë dhe nuk i harrojmë kurrë, veçmas: Avdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin, Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Jakup Ferrin, Haxhi Zekën, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Dedë Gjon Lulin, Idriz Seferin, Çerçiz Topullin, Bajo Topullin, Mihal Gramenon, Selam Musanë, Avni Rrustemin, Bajram Currin, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Hoxhë Kadri Prishtinën, Ahmet Zogun, Elez Isufin, Azem Bejtën, Shote Galicën, Myslim Pezën, Mujo Ulqinakun, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Emin Durakun, Xhemal Kadën, Asim Vokshin, Ali Kelmendin, Ibe Palikuqin, Gjon Serreçin, Mulla Idriz Gjilanin, Shaban Palluzhën, Mehmet Gradicën, Imer Berishën, Ajet Gërgurin, Kadri Bebën, Salih Rexhën, Shaban Shalën, Fazli Graiçevcin, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën e shumë të tjerë deri te Legjendari, Adem Jashari, dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Me mundin gjakun dhe djersën e tyre, të bashkëluftëtarëve të tyre, në të gjitha periudhat e luftërave, sot e mot identifikohen të gjithë liri-dashësit dhe liri-bërësit, të gjithë ata shqiptarë dhe shqiptare, të cilët Atdheut dhe idealit të çlirimit e bashkimit i kanë falur jetën, mundin, djersën, diturinë dhe pasurinë e tyre.
Qofshin të paharrueshëm për jetë e mot!