Një nga grupet artistike, që tashmë ka bërë emër jo vetëm në Zvicër, por edhe në trojet shqiptare, Ansambli „Arbëresha“ nga Sirnachu , shënoi 15 vjetorin e themelimit në prani të qindra mërgimtarëve dhe përfaqësuesve të shoqatave simotra
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Edhe salla qendrore e qytetit të Aadorfit, mbrëmë (më 26 Janar 2019) u tregua e vogël për ti pranuar gjithë anëtarët dhe adhuruesit e Ansamblit
„Arbëresha“ të Sirnachut (TG) , në manifestimin kushtuar 15 vjetorit të themelimit të kësaj trupe artistike, tashmë të konsoliduar si me numër, ashtu edhe grupmosha, kostume e instrumente përkatëse.
Falë një pune të përqendruar si në planin organizativ , ashtu edhe artistik “Arbëresha” sot radhitet në mesin e grupeve më aktive e më cilësore por edhe më kolegjiale në mesin e shoqërive, falë edhe një komuniteti që nuk kursen as mjete e as përkrahje morale për ta mbështet këtë shoqëri, ku edhe kanë fëmijët e tyre të angazhuar në masë të madhe.
Vet programi i mbrëmshëm, qiti në pah sesa janë të angazhuar, prind anëtarë e sidomos kryesia në krye me artistin, Nue Uka, të cilit edhe anëtarët i kishin bërë një surprizë përmes një video-xhirimi për të treguar se sa shumë e vlerësojnë punën e tij. Me këtë rast Nue Uka përkujtoi se në këtë përvjetor mungonin dy nga koreografët, njëherësh kryetar ansamblesh: Lulzim Saliquni dhe Agron Bajrami që sidomos në vitet e para dhanë kontribut të çmueshëm te “Arbëresha. Po ashtu në emër të “Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër përshëndeti Lirije Bajrami.
Marrë në tersi edhe pikat e programit qenë mjaft mbresëlënëse, ndonëse njëra nga to kish qenë pjesë artistike në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeu. Edhe biseda që u zhvillua në formë dialogu me kryetarin e ansamblit dhe anëtarët e tjerë , qiti në pah se “Arbëresha ka mjaft ambicie për zgjerim e programit dhe rritën e mëtejme në cilësinë e programit. Edhe dy nga përkrahësit, dom Albert Demaj, udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Zvicrën Lindore dhe mjeshtri i koreografisë , Xhemali Berisha, që kishte ardh nga Gjeneva, u shprehën optimist për rrugëtimin e mëtejshëm të këtij ansambli.
Në këtë 15 vjetor, merrnin pjesë edhe ansamble simotra, ndër të cilat “Shkolla “Shqiptare e Vallëzimit “Shota” në Zvicër” shfaqi edhe një valle, ndërsa Grupi “Aktrimi” kënaqi publikun me dy pika humori.
Kjo mbrëmje jubilare, kaloi ne një atmosferë sa kulturore aq edhe vëllazërore dhe u përmbyll me disa këngë, nga këngëtari i estradës së Kosovë, Afrim Muçiqi.