Komuna e Kaçanikut dhe përfaqësuesit e shoqatave të luftës, në 17-vjetorin e rënies heroike kanë përkujtuar dëshmorin e kombit, Hetem Hasaj. Kryetari i Komunës, Besim ILazi ka thënë me këtë rast se po përkujtohet dëshmori Hetem Hasaj i cili ra heroikisht në Gajre, në një betejë kundër forcave serbe. “Trimat si Hetemi, bijtë dhe bijat më të mirë të kombit tonë i dhanë grusht të rëndë armikut, por liria kishte çmimin e vet. E ne sot ndihemi krenar dhe kemi arsye të ndërtojmë e zhvillojmë vendin tonë për ne dhe brezat që po rriten, duke e çuar në vend amanetin e dëshmorëve”, ka theksuar Ilazi. Për jetën dhe veprimtarinë e dëshmorit, në emër të Këshillit Organizues ka folur Sabit Mulaku, arsimtar në shkollën e fshatit Gajre, ndërkaq në emër të OVL-UÇK-së, ka folur Hajrush Kurtaj, zëvendëskomandant në ish Brigadën 162 “Agim Bajrami”. “Duke kujtuar luftën shekullore për çlirim dhe bashkim kombëtar të popullit tonë dhe heronjve, ne kujtojmë dhe forcojmë themelet e shtetit tonë, ndriçojmë rrugën e së ardhmes sonë dhe fëmijëve tanë. Trimëria dhe guximi luftarak i të cilit do të na shërbejë si shembull frymëzimi pasi ai ishte një hero i vërtetë, hero i përmasave mitike. Hetemi bëri aktin më heroik duke ia kthye armën makinerisë së blinduar armike, i doli përpara, me trupit e tij dhe i zuri pritën. Ku ka akt më të lavdishëm dhe më heroik se sa përballja gjoks më gjoks me forcat armike”, ka theksuar Kurtaj.
Në manifestim ishte i pranishëm edhe koloneli amerikan Jacobus i cili para të pranishmëve ka thënë se dëshmori Hetem Hasaj e shumë të tjerë u sakrifikuan e dhanë shumë për liri, andaj vepra e tyre nuk duhet të harrohet kurrë. Në vendin e rënies, pranë lapidarit të ngritur në Gajre, kurora lulesh kanë vendosur kryetari i Komunës, Besim Ilazi bashkë me zyrtarë komunal, përfaqësues dhe anëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj Hajrush Kurtaj e koloneli amerikan Jacobus, familjarë të dëshmorit etj. Homazhe dhe kurora lulesh janë vendosur edhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve.