Sot, nën organizimin e gjimnazit në Malishevë, në 20 vjetorin e rënies, është përkujtuar dëshmori i kombit dhe heroi, profesor Hamdi Berisha, emrin e të cilit e mban edhe gjimnazi në Malishevë. Me këtë rast, është shfaqur edhe një dokumentar i realizuar nga profesorët e gjimnazit “Hamdi Berisha”. Fillimisht aktivitetet kanë filluar me nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve të kombit në Malishevë, dhe më pas aktivitetet kanë vazhduar në Rahovec, në vendin e rënies së dëshmorit Hamdi Berisha, dhe dëshmorëve tjerë të cilët kishin rënë në luftën e Rahovecit, në korrik të vitit 1999. Më pas, nën organizimin e Gjimnazit “Hamdi Berisha”, është organizuar një Akademi Përkujtimore, me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorit, emrin e të cilit e mban ky gjimnaz. Në këtë akademi përkujtimore, është vlerësuar lartë veprimtari e heroit dhe dëshmorit Hamdi Berisha, si në fushën e arsimit, ashtu edhe në organizimin dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fjalën e rastit foli për rolin dhe rëndësinë që kishte Malisheva në luftë në përgjithësi, ndërsa për dëshmori Hamdi Berisha dhe dëshmorët tjerë, tha se “ishin ata që e mbollën e farën e lirisë së vendit”. Begaj, bëri thirrje, që ashtu siç ishin të bashkuar në luftë, edhe tani të punohet të bashkuar për vendin, pasi kjo edhe ishte qëllimi i luftës dhe për këtë edhe dëshmorët e derdhën gjakun dhe dhanë jetën. Në këtë akademi, fjalë rasti, me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorit prof..Hamdi Berisha, mbajtën edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, pastaj në emër të shoqatave të dala nga lufta, Sinan Gegaj, kurse për jetën dhe veprën e dëshmorit dhe heroit, foli profesor Ramiz Sopaj, ish bashkëpunëtor dhe profesor në gjimnazin e Malishevës, i cili mban emrin e dëshmorit. Në këtë akademi u dha edhe urdhri i presidentit të vendit, për profesor Hamdi Berisha, i cili shpallet “Hero i Kosovës”.