Në 20 vjetorin e rënies heroike, përkujtohen Dëshmorët e Kombit, Naim Beka, Agim Matoshi dhe Avni Shehu

Mëngjesin e sotëm, qindra qytetarë marshuan drejt Varrezave të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, për të bërë homazhe në 20 vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve Naim Beka, Agim Matoshi e Avni Shehu.

Lumit të gjatë të qytetarëve, i printe i pari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me deputetin dhe eprorin e lartë të UÇK-së, Elmi Reçica, ish Komandantin e Zonës Operative të Neredimes, Shukri Buja, familjarë të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të UÇK-së, bashkëluftëtarë, drejtues e përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore.

Me përkulje e vendosjen e kurorave të luleve, pranë varreve ku pushojnë përgjithmonë eshtrat e trimave zemërluan, Naim Beka e Agim Matoshi, nisi shënimi i përkujtimores në jubileun e 20 të rënies së tyre heroike, për të vijuar me Akademinë Përkujtimore në Teatrin “Adriana” të Ferizajt.

Në akademinë e përkujtimores për dëshmorët Naim Beka, Agim Matoshi e Avni Shehu, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se nuk kursyen më të shtrenjtën, jetën për lirinë e Kosovës, amanet së cilin do ta trashëgojmë brez pas brezi.

“Saherë mblidhemi në përkujtimoret e dëshmorëve – trazohen plagët tona. Plagët që thellë në trupin tonë, ende kullojnë gjak e lot guximtari, krenari që veç shqiptarët di t’i dalloj. Sot, në këtë përkujtimore dhe në qindra përkujtimore të gjertanishme, nuk rreshti e as nuk do të rresht kurrë, shembëlltyra më e kristaltë e atdhedashurisë e flijimit – sakrifica e Dëshmorëve të Kombit. Ata janë kudo mes nesh! Në vepra nxënësish, në kujtimet e krenarisë, në lotët e prindërve, në ballin e djersitur të punës e përparimit, në lirinë e gëzimin e fëmijëve, në lartësinë e institucioneve të shtetit, në më të bukurën rrugë që ndriçon anekënd atdheun tonë. Ata, edhe sot janë me ne! Naimi, Agimi, Avniu e dhjetëra dëshmorë, heronj e heroina tona i dhanë më të bukurën rini, kombit të tyre, pragut të shtëpisë që i kërcënohej çizmja okupatore, shoqërisë që në zgrip i rëndohej shfarosja, rinisë kosovare që dergjej kazamateve të pushtuesit, flamurit që valëvitej pa u trembur, përmes plumbave që sollën lirinë. E në mejdanin e fatit të kombit, ku çdo pikë gjaku vlen sa një thesar, hijerëndë skaliten fytyrat e trimave tanë. Besa-besë, gati ta fal jetën si Agimi, heroi, trim zemërluan si Naimi e i papërkulur si Avniu. Ata janë të paarritshëm, në majat e heroizmit, ku pushon bashkë me ta, shpirti i gjithë Dëshmorëve të Kombit. Ne kurdoherë, jemi përkulur e do të përkulemi, para tyre. Ashtu do të bëjnë edhe brezat pas nesh. Amaneti nuk shlyhet asnjëherë. Ferizaj si çdo pëllëmb e Kosovës, ka emrin e lirisë të larë më gjakun e dëshmorëve. E ne, bartësit e institucioneve të shtetit, kemi sa detyrimin aq edhe përgjegjësinë që asnjëherë dhe për asgjë, rrugës së tyre të mos i ndahemi – ta bëjmë Kosovën edhe më të mirë, edhe më të begatë, edhe më prosperuese. Lufta kërkoi gjak! Gjaku nuk u kursye! Lum Kosova që pati djemë e vasha që ta mbrojnë! Lum nënat që përkundën qysh si foshnje djepin e lirisë! Lum baballarët që trashëguan xhevahirin më të shndrritshëm, më të vlefshëm – epitetin e atdhedashurisë dhe luftës për liri, për bijtë e bijat e tyre – dëshmorë! Lavdi sa të jetë jeta, Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri” tha ndër të tjera në fjalimin e tij, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Emocione nga lufta, liria që sollën çlirimtarët dhe rënia heroike e Dëshmorëve të Kombit, Naim Beka, Agim Matoshi e Avni Shehu, evokoi edhe eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandati i Zonës Operative të Neredimes, Shukri Buja, nënkryetari i OVL UÇK-së në Ferizaj, Luan Jahiri.

“Atdheu dhe kombi janë mbi të gjitha, ne familjarët e dëshmorëve jemi krenarë me të kalurën e lavdishme, jemi krenarë me gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës, jemi krenarë që jemi pjesë e etapës më të ndritshme të historisë sonë kombëtare. Lavdi Dëshmorëve të Kombit që falë gjakut të tyre ne sot gëzojmë lirinë, respekt për çlirimtarët” ishin fjalët e Advan Bekës, birit të Heroit të Kosovës, Naim Beka, i cili në këtë akademi, foli në emër të tri familjeve, bijtë e së cilëve u përkujtuan në këtë jubile të 20-të të rënies në altarin e lirisë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …