Në fshatin Celinë të komunës së Rahovecit janë përkujtuar të rënët e 25 marsit të vitit 1999. Në tubim përkujtimor i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, përfaqësues të OVL, familjarë të të rënëve dhe qytetarë.
“Celina i dha kësaj lufte trima që ranë heroikisht në betejat e UÇK-së. Përmasat e krimeve që bëri Serbia në këtë vend, në Anadrini e gjithandej në Kosovë janë gjenocid i planifikuar shtetëror, me qëllim të zbatohej plani për shfarosje të shqiptarëve. Të vetëdijshëm se vetëm duke punuar për të ardhmen e ndritur të cilës i detyrohet secili që ka mundësi, pavarësisht se ku gjendet, në mënyrën e vet, pra, duhet të dojë e të veprojë, që të nderojmë të rënët për liri e atdhe.”- u shpreh kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.