Në kuadër të aktiviteteve për të shënuar jetën dhe veprën heroike të simbolit të rezistencës kombëtare, bacë Adem Demaçit, në ambientet e Shoqatës së të Burgosurve Politikë është hapur ekspozita kushtuar jetës dhe veprës së tij. Gjatë fjalës së tij me rastin e hapjes së ekspozitës, veprimtari i lëvizjes kombëtare, ish i burgosur politik, Meriman Braha, theksoi se ky aktivitet i dedikohet një figure emblematike të lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi. Një fjalë rasti mbajti edhe Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë. Ai në mes tjerash theksoi se njëzet e nëntë vjet të Adem Demaçit dhe të shumë veprimtarëve të tjerë kaluar nëpër burgje të Jugosllavisë kanë qenë edhe një lloj ekzili i dhunshëm. Nuk është e rastit që Adem Demaçi është perceptuar në mesin e mërgimtarëve si përfaqësues i veçantë edhe i së kaluarës, edhe i së ardhmes. Ekspozita është organizuar nga Ministria e Diasporës, mbështetur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Instituti Albanologjik i Kosovës, Instituti i Historisë “Ali Hadri” dhe Ministria e Kulturës.
