Veprat flasin vetë e bashkë me to edhe ata e ato që përkushtohen me shumë dashuri e me shumë zell në përhapjen e shkëlqimin e rrezeve të dritës së gjuhës sonë në mërgatë, siç është Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu dhe kolegët e tij – mësueset e mësuesit shqiptarë të shkollave shqipe në mërgatë.
Mësimi i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare gjithnjë e më shumë po i hap rrezet për t’i ushqyer mendjet e për t’i ngrohur zemrat e fëmijëve shqiptarë. Është një kënaqësi e madhe për të gjithë ne, për të gjithë bashkatdhetarët e denjë që fëmijët e tyre ta përvetësojnë sa më mirë gjuhën shqipe dhe mësimet nga lëndët e rëndësishme që e formojnë jo vetëm anën profesionale, por edhe karakterin e shëndoshë shqiptar, të njerëzishëm të fëmijëve dhe të të rinjve tanë, në mërgatë.
Hapja e shkollave shqipe të njëpasnjëshme dhe kaq e dendur është jo vetëm kënaqësi e madhe për botën e shëndoshë shqiptare, por është edhe një dëshmi e një veprimtarie të shkëlqyer kulturore dhe atdhetare njëkohësisht, është dëshmi e gjallërisë sonë dhe përkushtimit tonë për ta ruajtur e përvetësuar sa më mirë gjuhën e pastër e të pasur shqipe dhe në të njëjtën kohë vlerat më të mira shqiptare.
Në këtë mes veprat flasin vetë e bashkë me to edhe ata e ato që përkushtohen me shumë dashuri e me shumë zell në përhapjen e shkëlqimin e rrezeve të dritës së gjuhës sonë në mërgatë, siç është Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu dhe kolegët e tij – mësueset e mësuesit shqiptarë në mërgatë të shkollave shqipe.
Është thënë dhe shumë herë është përsëritur se kur njerëzit e zellshëm bëhen bashkë dhe gjuhën shqipe e vënë në rend të parë sukseset nuk mungojnë sepse sukseset janë dëshmi e punës, përkushtimit…
Dhe ne sot jo vetëm që ndihemi krenarë, por e themi me gjithë shpirt, se edhe një pikë shkollore në gjuhën shqipe i shtohet kantonit të Thurgaut. Për një gjë të këtillë duhet përgëzuar veprimtarët e arsimit shqip në Zvicër Nexhat Hysenin dhe Vaxhid Sejdiun.
Mësuese Luljeta Ferizi, gjatë një ore mësimore me nxënësit e shkollës shqipe në Arbon.
Pas shkollave shqipe në Romanshorn, në Weinfelden, në Erlen, në Frauenfeld, në Amrsiwil, kantonit të Thurgaut i shtohet edhe pika shkollore në Arbon, e cila këto ditë hapi dyert për mësimin e gjuhës shqipe, pas një pune dhe përkushtimi të madh të veprimtarëve të shkollave shqipe Nexhat Hysenit, dhe Vaxhid Sejdiut, të cilët vepruan pareshtur, (pa u ndalur) disa javë së bashku me prindërit e qytetit Arbon arritën që hapjen e kësaj pike shkollore ta bëjnë realitet. Ndaj gëzimi për hapjen e pikës shkollore shihet, së pari, në fytyrat e nxënësve, të cilët çdo të shtunë vijojnë mësimet në gjuhën amtare, por edhe shumë natyrshëm gëzimi dukej edhe në fytyrën e mësueses Artjola Ferizit, e cila me aq përkushtim ka marrë detyrën si mësuese e gjuhës shqipe në këtë pikë shkollore. Mësimi zhvillohet çdo të shtune në shkollën fillore në Arbon nga ora 09:30 -11:15
Nxënësit e shkollës shqipe në Arbon: Ajana, Lea, Justini, Anisi, Zejdi, Besiana, Ajani, Siari, Alhambra dhe Arta shpresojnë që në javët bë vazhdim atyre do t`iu bashkëngjiten edhe shoqet dhe shokët e tyre shqiptarë, të cilët në orët e para nuk arritën të jenë me ta.
Vlen të përmendet se që nga dita e parë nxënësve iu shpërndanë librat shkollor, dhuratë nga Ministritë e Arsimit, të R. së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Dhe për këtë, rast ashtu sikurse i kemi falënderuar në vazhdimësi, i falënderojmë edhe në këtë rast të gjitha institucionet tona: Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe Ministritë e Arsimit të R. së Shqipërisë dhe të Kosovës, Ministritë e Jashtme të R. së Shqipërisë dhe të Kosovës, Ambasadën e R. së Shqipërisë dhe të R. së Kosovës për dërgimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore. Gjithmonë e kemi thënë dhe e themi se së bashku duhet të veprojmë dhe të punojmë në shërbim të gjuhës shqipe, me qëllim që në bankat shkollore të përfshijmë sa më shumë fëmijë, me qëllim që edhe gjeneratat e reja ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.
Sektori për informim “Shkolla Shqipe”