Në Binçë të Vitisë u përurua sheshi dhe u zbulua  busti i  Imzot Mark Sopit

Me një manifestim të hapur sot në  fshatin Binçë të Vitisë,  është bërë zbulimi i  bustit të, Imzot Mark Sopit, ish ipeshkvit të Dioqezës Prizren-Prishtinë, si dhe u përurua sheshi në qendër të fshatit me po këtë emër.  Me këtë rast në këtë ngjarje i pranishëm pos kryetarit të komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ishin edhe personalitetet të shumta nga jeta publike, përkatësisht nga Institucionet qendrore, ish ministra, ambasador, veteranë të luftës e klerikë fetar të bashkësive fetare dhe mysafirë të shumtë.   Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, nën përkujdesjen e të cilit edhe u mbajt ky manifestim, u shpreh se është një ditë e shënuar për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë përfituar nga mësimet e Imzot Mark Sopit dhe udhëheqja e tij shpirtërore.“Mark Sopi ishte një figurë e jashtëzakonshme, një udhëheqës shpirtëror që gjatë gjithë jetës së tij, ia kushtoi  Kishës dhe shërbesës së popullit.  Lindi më 1938 në këtë fshat, pra në Binçë dhe që nga mosha e re tregoi një prirje të fortë për jetën shpirtërore dhe përkushtimin ndaj Zotit.  Sot, po në vendlindjen e tij, po e përurojmë këtë bust dhe këtë shesh, në shenjë nderimi e kujtimi për veprën e tij që e la gjatë jetës me një kontribut të çmuar prej atdhetari” u shpreh kryetari Haliti. Ai mes tjerash theksoi se ai përballoi me guxim dhe përkushtim sfida të mëdha, duke ndihmuar të varfërit, duke këshilluar të pasigurtit dhe duke ndihmuar në aksionet e pajtimit të  gjaqeve në vitet e trazuara. Imzot Mark Sopi gjithmonë përpiqej të ndihmonte ata që ishin në nevojë. Ai ishte një mbështetës i palodhur i të varfërve, të sëmurëve dhe të përndjekurve. Nën udhëheqjen e tij, Ipeshkvia e Kosovës u bë një strehë e sigurt për të gjithë ata që kërkonin ndihmë dhe ngushëllim. Ai inkurajoi solidaritetin dhe bamirësinë, duke u kujdesur që askush të mos mbetej pas dore.  Përgjatë periudhës së okupimit nga pushteti i atëhershëm në vitet e 90-ta, edhe Kisha e Binçës u shndërrua në një Institucion shëndetësor duke hapur dyert për të ofruar asistencën mjekësore për të gjithë ata që kanë nevojë. Gjithashtu, vatër e mbikëqyrjes shëndetësore të nxënësve të helmuar, për të cilat kjo shtëpi e Zotit,  ishte në shënjestër të pushtetit të atëhershëm serb.  Andaj, ky bust e ky shesh, është një simbol i përkushtimit dhe dashurisë së tij për Zotin dhe popullin shqiptar. Është një kujtim i përjetshëm për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë përfituar nga prania e tij në jetën e tyre. Ky bust do të shërbejë si një frymëzim për brezat e ardhshëm, duke kujtuar Imzot Mark Sopin për vlerat e larta që ai përfaqësoi. Le të kujtojmë se Imzot Mark Sopi nuk ishte vetëm një udhëheqës shpirtëror, por edhe një simbol i forcës, guximit dhe përkushtimit ndaj kauzës sonë kombëtare. Na mësoi se pavarësisht nga sfidat dhe vështirësitë, ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në besimin tonë dhe të punojmë për një botë më të mirë dhe më të drejtë” tha Haliti. Një fjalë rreth personalitetit të Imzot Mark Sopit, e mbajti edhe Impeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, i cili mes tjerash tha se Mark Sopi la pas një vepër madhore në historinë e Kosovës. “Ndjej dhimbje për atë që ka qenë në shërbim në kohën më te keqe e në rrethana më të vështira. Jeta e tij është një dritë e ndezur në jetën e mirë dhe rrugën e drejtë të popullit tonë” u shpreh Dodë Gjergji. Me nga një fjalë rasti u paraqitën edhe ish ambasadori Anton Kolë Berisha dhe famullitari i kishës në Binqë, Dod Frrok Zefi. Ky manifestim, është organizuar në kuadër të aktiviteteve që po organizohen nën përkujdesjen e kryetarit te komunës për nderë te ditëve te diasporës.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …