Në Bruksel, është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi nuk ka sjellë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash. Bisedimet kishin në qendër zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që lidhet me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit. Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nen i saj nuk kushtëzon nenin tjetër dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e njërës apo tjetrës pikë të marrëveshjes. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka vullnet në BE për të shmangur një dokument që vetë e ka krijuar dhe publikuar”, tha Bislimi në fund të takimit. Besnik Bislimi nuk ka treguar se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.
Kontrolloni gjithashtu
Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …