Në Bruksel është mbajtur takimi i shtatë i grupeve punuese të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje për targat e automjeteve. Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar nga i ngarkuari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon. “Ekspertët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar në Bruksel për takimin e 7-të të GP-së për targa. Me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për një zgjidhje” ka shkruar Lajçak në Twitter. Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, nga 4 tetori i vitit 2021 ka nisur së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi. Kjo masë është paraparë të zgjasë gjashtë muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje, për çfarë dy palët kanë formuar grupet punuese.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …