Një makinë bombë ka shpërthyer jashtë një ndërtese të policisë në qytetin Cizre të Turqisë, me ç rast janë vrarë tetë policë dhe mbi 45 të tjerë janë plagosur. Tash për tash nuk dihet se kush e ka kryer sulmin, por mediat turke kanë fajësuar militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Muajve të fundit, në Cizre ka pasur shpesh orë policore nga autoritetet turke, për shkak të sulmeve nga kryengritësit kurdë. Fundjavën e kaluar, ndërkaq, nga një sulm vetëvrasës në Gaziantep të Turqisë janë vrarë mbi 50 veta. Për këtë sulm, autoritetet turke kanë fajësuar grupin militant Shteti Islamik.
