Një rrugëtim ditor nëpër shtigjet e lirisë…
Më 16 qershor 2018, së bashku me veprimtarin, Isuf Ismajli me dy nipat e tij, Erblinin dhe Gentritin, jemi nisur për një vizitë, në Pejë. Ky qytet historik i Kosovës sot shënon Ditën e Çlirimit, shënon epokën kur 19-vjet më parë forcat e UÇK-së kishin hyrë fitimtarë në këtë qytet të Dukagjinit. Paraprakisht, përmes telefonit, për vizitën e kam njoftuar Salih Lajçin, një veprimtar dhe luftëtar shumë i njohur i këtyre anëve, projektuesi i idesë së pavarësisë së Kosovës qysh në vitin 1980, i burgosur politik në krye të grupit “Pavarësia”, veprimtar i Lëvizjes së Rezistencës edhe pas daljes nga burgu, luftëtar i radhëve të para të luftës çlirimtare, komandant i Brigadës 136 “Rugova” të Zonës Operative të Dukagjinit, vëlla i dëshmorit të kombit, Selman Lajçi. Salihu ka qenë i plagosur rëndë gjatë luftës. Pas luftës epror i TMK-së, një kohë zyrtar i komunës tani profesor në Shkollën e Mesme “Shaban Spahija”.
( Nga e djathta: Isuf Ismaili, Salih Lajçi dhe Ahmet Qeriqi)
Me Salihun jam njohur në Burgun e Suboticës, ndërsa me disa të burgosur të organizatës “Pavarësia” jam njohur në Burgun e Gjurakocit në vitet 1983-1984.
Rrugës për në Pejë herë binte shi si me rrëshek, herë rrezonte dielli si bën zakonisht në ditë vere. Me të arritur në Pejë kemi takuar Salihun dhe jemi përshëndetur duke e uruar për Ditën e Çlirimit.
Ai na shoqëron në qendër të Pejës ku sot ka shumë qytetarë që kanë dalë për këtë ditë feste, ndërsa përshëndetjet me qytetarë e të njohur nuk pushojnë, qoftë duke uruar dorë për dorë, qoftë nga larg.
Pastaj Salihu ka njoftuar edhe kushëririn e tij, veprimtarin dhe luftëtarin e UÇK-së, Nexhmi Lajçi, i cili pa vonuar ka ardhur dhe jemi bërë bashkë. Edhe pse qëllimi ynë ishte që pas qëndrimit të Pejë të udhëtonin për te Kompleksin memorial në “Varrezat e Dëshmorëve në Koshare”, me propozimin e Salihut e Nexhmiut nisemi drejt Grykës së Rugovës.
(Shtatorja e Adrian Krasniqit, në Pejë)
Në hyrje të rrugës që çon në fshatin Pepaj, vendlindja e Salihut dhe Nexhmiut, në anën e majtë të rrugës, hymë në një kanjon të pjerrët gurinor të pyllëzuar me lisa të gjatë, që çon në vendin e quajtur, “Shtegu i Zanave”. Rrugën zik-zake mbi lumin malor e ka ndërtuar me vetë-kontribut, Fatos Lajçi, vëlla i dëshmorit, Besnik Lajçi.
Vendi është shumë i pjerrët ndërsa lëvizjet mbi dërrasat e drurit janë me rrezik për të kaluar mbi to meqë sapo i ka lagur shiu. Megjithatë bëjmë tutje.
Erblini dhe Gentritin, 16-vjeçar gjenden në elementin e moshës dhe sfidave, të cilat i përballojnë shumë lehtë, ndërsa unë nuk e shpreh hapur frikën e ndonjë rrëshqitje, dhe me tërë koncentrimin arrij të kaloj sa e sa “pengesa”.
Salihut, Isufit dhe Nexhmiut nuk iu rrëshqet toka nën këmbë, ata janë më të rinj se unë dhe kalojnë lehtë nëpër terren. Të gjithë kanë kujdes për mua duke më shoqëruar e herë-herë edhe duke më mbajtur.
Sa më thellë e më lartë të futemi në “Shtegun e Zanave, më kujtohen legjendat për to, aq të begatshme në këto anë të cilat me aq përkushtim dhe vëmendje i ka studiuar, vendësi i kësaj ane, veprimtari dhe i burgosuri politik, dr. Zymer Neziri.
– Qenka vërtet një vend madhështor dhe emërtimi i “Shtegu i Zanave”, pavarësish kush dhe kur e ke emërtuar i përshtatet shumë këtij ambienti fantastik i them Salihut, duke e fshehur shqetësimin dhe frikën time në rritje nga ndonjë rrëshqitje e papritur, edhe pse Salihu ecën vetë i pari me qëllim për ta verifikuar çdo hap mbi çdo shkallë druri apo guri, mbi të cilin kalojmë.
( Nga e djathta: Salih Lajçi, Ahmet Qeriqi, Isuf Ismaili dhe Nexhmi Lajçi)
Nga çasti në çast ndalojmë për të bërë fotografi. Të gjithë kanë telefona dhe një kamerë, të cilën zakonisht e përdor, Erblini, një djalosh shumë i zgjuar. Edhe Gentriti nuk mbetet prapa, edhe pse ai është pak më i tërhequr dhe më rrallë inkuadrohet në bisedë. Të gjithë bisedojmë dhe ndihemi shumë të disponuar në natyrën e çiltër e cila t’ i mbush mushkëritë me ajër të pastër.
Ajo që na bën përshtypje të jashtëzakonshme është zhurmërima e ujëvarave të shumta dhe të larta, të cilat i japin natyrës një dimension të veçantë, sidomos me derdhjen madhështore të ujit që përplaset fuqishëm nëpër gurët e thepisur dhe mbi konturat e llojllojshme gurinore.
Pasi qëndrojmë pak kohë në “Shtegun e Zanave”, fillojmë të kthehemi në po ato shtigje nga ishim ngjitur. Zbritja poshtë për mua është e më e rëndë se ngjitja përpjetë, por falë koncentrimit maksimal dhe kujdesit të veçantë që kanë të gjithë për mua, ia dal me sukses. Vetëm pasi zbresin te veturat në rrugën e asfaltuar, kuptoj se pa pritur i kam hyrë një rreziku, i cili për fat mbaroi me sukses.
(Nga e djathta: Ahmet Qeriqi, Isuf Ismaili, Salih Lajçi dhe Nexhmi Lajçi)
Pas pak unë hip në veturën, të cilën e nget Salihu, ndërsa Isufi me dy nipat e tij në veturën e Nexhmi Lajçit. Rruga që çon në Pepaj është zgjeruar e mbushur me zhavorr dhe tani pret vetëm asfaltin. Është një rrugë e përthyer malore por e kalueshme pa ndonjë vështirësi. Rregullimi i kësaj rruge edhe pse 19-vjet pas luftës iu shkon në ndihmë banorëve të kësaj ane, të cilët gjatë shekujve nga e kaluara legjendare e cila këtu pushon si askund tjetër nga brezi në brez, kanë jetuar në këtë vise të larta, kanë qëndruar vertikalisht, mu si këto maja dhe nuk iu kanë bindur asnjë pushtuesi, që ka marrë mundin për t’i sunduar e për t’i larguar nga trojet ku janë ngulur po aq thellë sa e dhe malet e larta deri në 2500 m mbi nivel të detit.
( Në vendin e quajtur, “Shtegu i Zanave”, nga e djathta: Nexhmi Lajçi, A. Qeriqi, Isuf Ismajli dhe Salih Lajçi)
Në një kthesë malore për në Pepaj, Salihu me tregon shtëpinë e Ali Lajçit, studentit të dikurshëm me emrin e të cilit lidhen demonstratat e para të vitit 1981. Nuk mund të mos kujtojmë me këtë rast edhe kurthet që i kishte ngritur regjimi për ta devalvuar, me qëllim të krijimit të hutisë dhe përçarjeve në radhët tona. Por qëndrimi i tij i palëkundur nëpër burgje me kohë kishte shafitur dyshimet. Aliu nuk ankohet për ato që kanë ndodhur, sepse herët e kishte kuptuar se kush dhe me çfarë qëllimi i kishte fabrikuar ato yshtje e djallëzi. Edhe ai, si shumica prej nesh ka probleme me shëndetin, me zemrën, me zemrat, të cilat aq shumë na kanë pësuar nëpër burgje e nëpër rrugëtimin tonë plot ferra e driza, por ja që ende nuk po na “tradhtojnë”, një ditë edhe do ta bëjnë këtë, por pas çlirimit të Kosovës çdo ditë që kemi jetuar ka qenë ditë e fitores, ditë e ngazëllimit dhe entuziazmit të lirisë. Vdekjes nuk iu kemi frikësuar as i frikësohemi, sepse jo vetëm njëherë i kemi thënë dhe i themi- Plaç!
(Nga e majta: Erblini dhe Gentrit Ismaili)
Gjatë rrugës Salihu më rrëfen historikun e kësaj pjese të Rugovës, luftërat, qëndresën deri në “Qafë të Hajlës”. ku më 18 dhe 19 prill të vitit 1999 kanë në rënë trimërisht heronjtë e luftës së fundit të UÇK-së, Selman Lajçi, Besnik Lajçi, Ramush Lajçi e Xhavit Lajçi. Qafa e Hajlës rrezaton si kështjellë madhështore e Kosovës. Nuk di të ketë vend më të lartë malor ku të kenë luftuar e të kenë rënë luftëtarët e lirisë, duke mbrojtur me gjokset e tyre të çeliktë trojet e veta dhe të parëve nga forcat kriminale të regjimit barbar serb të Milosheviqit. Nëpër atë lartësi mbidetare gjatë luftës, në kohë të dimrit, mbi dëborën e sheshtë e të trashë, në fërfëllizë e acar, Nexhmi Lajçi me pjesën më të madhe të ushtarëve te Brigadës 136 “Rugova” dhe shumë luftëtarë nga Dukagjini me urdhrin e SHP dhe komandantit të ZOD-it, Ramush Haradinaj kanë dërguar dhjetëra luftëtarë të plagosur për shërim në Shqipëri. Edhe ky akt heroizmi është shënuar në historinë tonë më të re, në njërën ndër pikat më larta të Atdheut, të larë me djersë e gjak…
(Nga e majta: S. Lajçi, A. Qeriqi, I. Ismaili dhe N. Lajçi)
Luftëtari i përkushtuar i lirisë, militanti besnik i UÇK-së dhe i vlerave të luftës, Nexhmi Lajçi, rrëfen se përmes shoqatave dhe rrugës institucionale ia ka dërguar Presidencës emrat e Selman Lajçit dhe të Besnik Lajçit për t’ i shpallur heronj, por ata janë refuzuar, ndërsa prezanton shembuj, të atyre që i kanë shpallur heronj pa marrë fare pjesë në luftë dhe shumë të tjerë të vrarë pas lufte në rrethana të dyshimta.
Zemërimin e tij të ligjshëm mundohet ta relativizojë, Salih Lajçi, i cili thotë se Selmani e Besniku edhe ashtu janë heronj, pavarësisht se i shpall apo jo presidenca. Unë i mbështes të dy, zemërimin e ligjshëm të Nexhmiut dhe gjykimin real të Salihut, ndërsa shtoj se nganjëherë është më mirë të mos pranosh dekorata të tilla nga kushdo, sepse ku di ku i radhit historia të vdekshmit e sundimtarët e sotëm, ndërsa Selmani me mijëra të tjerë, kanë hyrë dhe kanë mbetur heronj në histori, për jetë të jetëve.
Ata kanë hyrë thellë në zemrën e kombit, janë lartësuar me lapidarë përjetësie dhe qëndrojnë krenarë e të pavdekshëm, ashtu si këto maje të larta, ashtu si këto kreshta malore, ashtu si legjendat për Gjergj Elez Alinë dhe trimat e përjetësuar në kujtesën e popullit, shton pas pak Isuf Ismajli, i cili në vitin 1991 ka kryer ushtrimet ushtarake në Shqipëri së bashku me legjendarin, Adem Jashari e trimat e tjerë.
Pas pak të gjithë rreshtohemi përballë varrezave që dëshmorëve dhe bëjmë homazhe duke nderuar kujtimin për jetën, veprat e heroizmin e tyre. Salihu na tregon varrezat e moçme prej luftëtarit të panjohur të kohëve të moçme e deri te ato të dëshmorëve e martirëve të luftës së fundit. Pastaj na tregon historikun e fshatit Pepaj, antroponimet e toponimet, kujtesa që është përcjellë nga brezi në brez dhe që ka arritur deri në ditët tona…
( Verrezat e dëshmorëve dhe të martirëve në fshatin Pepaj të Rugovës)
Edhe në Pepaj, ashtu sikur gjatë tërë rrugës kanë filmuar pa ndërprerë Erblini e Gentriti. Babait të Gentritit, Mehmet Ismajlit i kam dhënë mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në paralelet e shkollës teknike, të cilat në vitin 1979 i kishin vendosur në ish-objektin e Shkollës Normale. Pas një kohe kthehemi rrugës në drejtim të Grykës së Rugovës dhe ndalojmë te restoranti “Bjeshka” pronar i të cilit është bashkëluftëtari i Salihut dhe Nexhmiut, Agron Nikçi.
Restoranti, “Bjeshka” pronë e Agron Nikçit)
Duke drekuar me specialitetet vendore dhe të njohura të Rugovës, kemi biseduar gjerë e gjatë. Kemi evokuar kujtime nga koha e burgut, veçmas nga lufta e UÇK-së, por edhe nga realiteti i tensionuar politik që ka përfshirë vendin me rastin e bërjes publike të lajmit se edhe kësaj radhe në bisedime me Serbinë, Kosova sërish do të bëjë kompromise, si gjithnjë të dhembshme dhe tejet të dëmshme.
Pas kthimit në Pejë, pasi përshëndetemi në ndarje me Nexhmi Lajçin, Salihu i telefonon një shokut tonë të burgut, Salih Lukës, me të cilin kemi qëndruar afër një vit në Burgun e Gjurakocit. Takimi, kohë pas kohe me të burgosurit e vitit 1981 gjithnjë më sjellë në kujtesë disa vargje të Hydajet Hysenit, ku thuhet se “atyre që regjimi ua kishte lidhur duart me të njëjtat pranga, ata përjetë kanë mbetur të pandashëm, në rrugëtimin e tyre atdhetar, jetësor”.
Salih Luka, dikur studenti militant i vitit 1981 tashmë është familjar dhe punon në firmën e tij. Edhe atij si shumicës dërrmuese të të burgosurve politikë, i kanë mbetur në kujtesë sa e sa ngjarje nga e kaluara nëpër burgje. Pasi përshëndetemi me përqafime si gjithnjë me shokët, që nuk jemi parë një kohë të gjatë, ulemi në një lokal në dalje të Pejës dhe biseda e filluar spontanisht zgjerohet në segmente, por na kthen në burgje, atje ku kemi lënë vitet me të bukura të rinisë, por që kurrë nuk jemi penduar sepse nga besa e lidhur atje kemi ndërtuar moton e përjetësisë atdhetare: Ecim para vëlla, kthim prapa s’ ka…
( Nga e majta: Isuf Ismajli, Salih Luka, Ahmet Qeriqi dhe Salih Lajçi)
Salih Luka flet me entuziazëm, flet vëllazërisht me bujari e përzemërsi, duke evokuar shokët, burgun, luftën, situatën jo të mirë politike. Ai po ashtu më tregon se gjashtë muaj më parë kishte vdekur, Halil Berisha, një shoku ynë, me të cilin ishin bashkë në Burgun e Gjurakocit, i cili kishte mbajtur katër vjet burg. Përkujtojmë edhe vdekjen e shokut tonë të burgut, profesor dr. Muhamet Tërnava, në shtator të vitit 2o17, historianit më të madh shqiptar të Mesjetës, të cilin regjimi e kishte goditur duke ia dëmtuar rëndë ardhmërinë. Kujtojmë edhe ditën e vdekjes së tij, më 6 shtator të vitit 2017, kur asnjëri nga treshja pushtetare, Thaçi, Ramushi, Kadriu nuk i kishin dërguar telegram as familjes së tij, sepse kishin qenë të zënë në festën delirante të organizuar nga Blendi Fevziu, nipi i Esad Pashë Toptanit, me rastin e përvjetorit të tij, kur paskësh filluar te merrej me gazetari. (!)
Pavarësisht ndodhive e çmendurive të tilla, me të cilat po mësohemi, ne kemi mbetur të patundur në idealet tona, gjithnjë sipas motos, “Ecim para vëlla, kthim prapa s’ ka”.
Të vetëdijshëm se edhe kur jemi nëpër parti të ndryshme apo jashtë tyre, të vetëdijshëm se para së gjithash i përkasim Partisë së Atdheut dhe të Shqipërisë së Bashkuar, ndahemi duke u përqafuar vëllazërisht, gjithnjë me shpresë se do të shihemi sërish, do të punojmë e të veprojmë për të ruajtur idealet e vlerat, pa e harrur kurrë njëri tjetrin e mbi të gjitha amanetin e dëshmorëve, amanetin e shokëve tanë të vuajtjeve, që nuk janë më në mesin tonë…
Pasi në ndarje përshëndetemi me Salih Lukën, rreth orës 22.00 Salih Lajçi me veturën e tij i prin veturës së Isuf Ismajlit për të dalë në rrugën kryesore: Pejë – Prishtinë.
Kemi kaluar një ditë që kurrë nuk harrohet, një ditë nga ato më të rrallat, që nguliten thellë në kujtesë ashtu si grykat e bjeshkët e Rugovës, një ditë idealistësh, në 19-vjetorin e Çlirimit të Pejës.