Në ditën e sotme filloi punën legjislatura X e Kuvendit të Shqipërisë me opozitën të rikthyer në Kuvend. Seanca u drejtua nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit, e cila bëri thirrje për bashkëpunim mes partive në vend. 140 ligjvënësit e rinj pritet të betohen gjatë pjesës së dytë të seancës së ditës së sotme. Gjithashtu pritet edhe zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit. Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjislaturë. Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë.
“Pas një karriere të gjatë profesionale kam nderin të hap legjislaturën e 10 parlamentare. Ndihem e emocionuar pasi kurrë më parë kjo sallë e nderuar s’ka pasur kaq shumë vajza e gra në radhët e saj. Jam jo vetëm krenare për këto arritje, por kam bindjen e thellë se kjo legjislaturë do të mbahet mend gjatë për thyerjen e barrierave e stereotipive gjinore, forcimin e rolit të gruas. Kemi marrë përgjegjësi të madhe, për misionin historik, për ta çuar Shqipërinë drejt Evropës. Për të krijuar një Shqipëri që brezat që vijnë ta adhurojnë. Mbështetës potenciale në këto reforma mbeten SHBA, aleati ynë më i fuqishëm, BE e të tjerë. Na besuan për të çuar drejtësinë përpara, administratën, për aq sa mundemi çështjen e pronave, arsimin, shëndetësinë, ekonominë në të gjitha degët e saj, bujqësinë, energjetike, arti dhe kultura, pa hequr vëmendjen.
Ne vijojmë të ndodhemi para dy sfidave që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen, tërmetin e pandeminë. Ne të gjithë së bashku do ia dalim. Zonja e zotërinj. Populli nga zgjodhi me votën e tij, të punojmë pa parë ngjyra partiake. të kryejmë me sukses punën e nderuar të deputetit. Paçim punë të mbarë të gjithë, të majtë e të djathtë. Ne punojmë për të mirën e vendin tonë. Në këtë proces do të kemi mbështetjen e shqiptarëve. Punë të mbarë të gjithëve”, tha Bozo.
Komision i përkohshëm prej 9 anëtarësh për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit do shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit.
Seanca e dytë pritet të ketë edhe tensione pas ngjarjeve të fundit, ku kreu demokratik Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së Sali Berishën.