Në Drenoc të Rahovecit u shënua 27-vjetori i daljes së parë publike të UÇK-së – Zona Operative e Pashtrikut

Komuna e Rahovecit të shtunën më 26 prill ka shënuar 27-vjetorin e daljes së parë publike të UÇK-së – Zona Operative e Pashtrikut, në fshatin Drenoc. Kryetari i komunës, Smajl Latifi në fjalën e tij ka thënë:

Drenoci ishte pikënisja e UÇK-së për Zonën Operative të Pashtrikut, prej ku do të dilnin shumë heronj e dëshmorë trima, që do të sakrifikoheshin për lirinë e Kosovës.

Kushtrimit të lirisë nga Drenica e Adem Jasharit e Ahmet Delisë dhe e Shaban Polluzhës, iu përgjigjën djemtë e Haradinajve të Gllogjanit e të Dukagjinit, flakë për flakë më 24 mars 1998, ndërsa djemtë e Anadrinisë u bashkuan me jehonën e pushkëve të lirisë më 26 prill të vitit 1998, pikërisht këtu në Drenocin historik. Jehonës së pushkës së Mensur Zyberajt të vëllëzërve Bedrush e Feim Gashi, Milaim Krasniqi, Ilmi Morina, Toni dhe Mici, Mizahiri, Bekim Gashi e Dalip Behra, Fitim Duraku, Enver Duraku, Ismail Gashi, Milaimi dhe Xhevdeti, Bekim Sylka e Gëzim Hamza, Tafil Zyberaj, Esherefedin Kastrati, Sakip Bellaqa, Përparim Thaçi, Naser Krasniqi, Sahit Krasniqi, Safet Latifi, Visar Hoti, Isuf Berisha dhe shumë e shumë të tjerë nga Rahoveci e tërë Anadrini si dhe nga ZO e Pashtrikut, iu bashkuan dhjetëra e mijëra djem dhe vajza, duke i vënë gjokset e tyre në mbrojtje të atdheut. Flaka e lirisë shumë shpejtë do të përhapej gjithandej në Anadrini e kudo, ku kishte kohë që po vepronin grupe të fshehta të organizuara çlirimtarësh. Pikërisht në këtë vend u projektua edhe marrëveshja për bashkimin e potencialeve njerëzore e luftarake ndërmjet UÇK-së e LKÇK-së, ku kontribut të madh ka dhënë përfaqësuesi udhëheqës i LKÇK-së, Sabit Gashi si dhe luftëtari i madh, tashmë heroi i kombit Fehmi Lladrovci.

Përkundër faktit se ishim shumë të pabarabartë me armikun, shumë herë më të pajisur, kulmoi guximi ynë për të luftuar e sakrifikuar për jetë më të dinjitetshme në liri. Lufta jonë çlirimtare mori përmasa kombëtare dhe s’kishte si të ishte ndryshe, sepse shqiptarët ndiejnë të njëjtën dashuri për atdheun, pavarësisht se ku jetojnë. Bijat dhe bijtë e këtij vendi u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe në forma të ndryshme kontribuuan për të mirën e përgjithshme.

Dalja e UÇK-së më 26 prill e më pas beteja e parë frontale në Anadrini, e fituar në ditën e 12 majit dhe e ajo 14 majit, si dhe betejat që pasuan, i dhanë kësaj lufte tjetër dimension.

Toka “u stolis me varre”, por nga ai gjak mbinë filizat e shpresës që do të japin frutat e ëmbla të lirisë që po i shijojmë sot.

Ngjarje si kjo na bëjnë të ndihemi krenarë që i takuam asaj epoke të lavdishme, epokë që ndryshoi historinë, jo vetëm atë shqiptare, por edhe hartën e botës. Prandaj, duhet ta nderojmë e kujtojmë lavdinë e atyre që ranë në fushëbeteja për lirinë e kësaj cope të atdheut tonë të ndarë.

I paharruar për jetë e mot, 26 prilli i vitit 1998!

Lavdi dhe nderime përjetësisht heronjve, dëshmorëve dhe martirëve!

Kontrolloni gjithashtu

Ligjëratë informuese për mbrojtjen nga zjarret në Shkollën e Mesme Teknike në Viti

Në ambientet e Shkollës së Mesme  te Ulët “Dëshmorët e Vitisë”, sot është mbajtur një …