Gaspër Doda, nga Radulloci i Klinës ka një biografi të dhembshme por edhe krenare. I ftuar në emisionin, “Bisedë në studion e TV-Diellit”, ai ka folur për disa nga momentet e rënda të jetës së tij, sidomos në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur kishte rënë në pritë të forcave serbe dhe pastaj kishte filluar kalvari i vuajtjeve të tij, për disa vjet rresht.
“Nga shtabi vendor i UÇK-së, në Ozdrim të Klinës, ku kohë më parë kisha dërguar disa ndihma që i kisha tubuar nga fshatarët e miqtë e mi, kishim marrë përsipër t iu merrnim armët personave që i kishin me leje, pasi kishim arritur t i bindnim se ato armë i duheshin luftës. Në atë aksion kishim grumbulluar disa armë për nevojat e luftës. Ndërkohë, fare papritur unë, Martini dhe Filipi kishim rënë në një pritë të forcave serbe afër Klinës, ku edhe ka filluar dhuna e pandërprerë sistematike, kundër nesh, ashtu si kundër të gjithë shqiptarëve nëpër burgjet e asaj kohe, si gjatë marrjes në pyetje, pastaj gjatë kohës së paraburgimit dhe në vuajtjen e dënimit nëpër burgjet e Kosovës dhe të Serbisë”.
Gaspër Doda, i cili jeton me familjen e tij në fshatin Radulloc të Klinës, ka folur për vuajtjet nëpër burgje dhe për dhunën të cilën e kishin ushtruar ata kundër tij. Ka qenë në mesin e të plagosurve rëndë në Masakrën e Dubravës, ( 19-24 maj 1999).
Ashtu sikur edhe të burgosurit e tjerë shqiptarë edhe Gaspri me bashkëvuajtësit, kurdoherë kishte qenë shënjestër e dunës serbe, prej ditës kur ishte arrestuar e deri kur ishte liruar nga burgu, pas luftës, nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, pas një vendimi që ishte marrë asokohe, që të liroheshin të burgosurit e plagosur. Dënimin me burg e ka vuajtur, në Burgun hetues të Pejës, pastaj në burgun e Nishit, në Kazamatin famëkeq të Dubravës, në burgun e Lypjanit, në Mitrovicë të Sremit e gjetkë.
Gaspri ka rrëfyer shumë detale të jetës dhe punës së tij.
Ai ka folur edhe për shqetësimet, brengat dhe pamundësinë për të realizuar të drejtat si veteran i luftës së UÇK-së dhe invalid i saj, me plagët që kishte marrë në Burgun e Dubravës. Edhe 22 vjet pas luftës, Gaspër Doda, ende nuk i ka realizuar të drejtat e tij, të cilat janë në procedurë por janë shtyrë tejmase…
Ai mban një fletore shënimesh ku ka evidentuar emrat e të martirizuarve në Burgun e Dubravës, ku i ka përjetuar çastet më të rënda të jetës, por me forcë e mobilizim shpirtëror, me besim të patundur në fitore, ka arritur të ngadhënjejë.
Në fund të bisedës së tij ai ka ftuar të gjithë shqiptarët që të bashkohen kur është në pyetje interesi i i kombit dhe i atdheut.
Si dëgjues i rregullt i Radios-Kosova e Lirë dhe i TV-Diellit qysh nga koha e luftës ai ka shprehur shumë fjalë miradie e mbështetje, sepse programi i Radios me tema të ndryshme nga historia, kultura, tradita, shkenca, ia ka bërë ia ka zgjeruar horizontin e njohurive, pasi për ditë kur ka kohë dëgjon emisionet ditore të kësaj Radioje, me të cilën është i pandashëm.
Më gjerësisht, për bisedën dhe shumë detaje të tjera, mund të klikoni në këtë video…