Në emisionin "Bisedë në Studion e TV-Diellit", ka folur veprimtari dhe luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, Sylejman Qeriqi nga Krojmiri

Në emisionin “Bisedë në Studion e TV-Diellit”, ka folur veprimtari dhe luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, Sylë Qeriqi nga Krojmiri

Në kohën kur  qarqe të caktuara antishqiptare po bëjnë përpjekje që luftën  çlirimtare dhe fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta etiketojnë dhe mundësisht edhe ta devalvojnë, krijuesit e saj, luftëtarët e hershëm të lirisë, veprimtarët  që i kanë kushtuar një jetë të tërë kombit e atdheut, flasin për të vërtetën e saj dhe për faqet më të ndritshme të historisë së kombit shqiptar në përgjithësi. Flasin me fakte e dëshmi për luftën e filluar nga Adem Shaban Jashari,  në Prekaz, e cila kishte qenë vazhdimësi e përpjekjeve shekullore të kombit për çlirimin e trojeve të robëruara nga sllavët e të tjerët. Në këtë mes ka folur për Radion-Kosova e Lirë dhe TV-Dielli edhe Sylë Xhemshir Qeriqi, i njohur si Sylë Qeriqi.

Ai ka lindur dhe jeton në Krojmir të Drenicës, ndërsa aktiviteti i rij atdhetar është shumë i hershëm. Qysh në fillim të viteve të 90-ta ka qenë i organizuar në  Lëvizjen ilegale, e cila vepronte me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të programit për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe. Së bashku me Jetë Hasanin, tani dëshmor, pastaj Elez Durmishin, Ruzhdi Saramatin, Jahir Qeriqin, Idriz Qeriqin, Ramiz Qeriqin, Shaban Mustafën, Mehdi Qeriqin, Halil Ollurin, Naim Rizanin, Dalip Durmishin, Ali Gashin, pastaj  nipat e tij në Mollapolc, si Sadik Mujota, dëshmor, Rifat Mujota, Shaip Mujota, veterani i ndjerë e të tjerë. Sylejman Qeriqi me grupin e tij ka mbajtur kontakte ilegaliteti  dhe me disa veprimtarë nga rrethi i Skënderajt si Ilaz Koci, Ilaz Dërguti, Hysen Gucati e të tjerë, të cilët edhe kanë qenë pjesë e Komitetit Kombëtar të Lëvizjes për Çlirimin dhe Ribashkimin e trojeve Shqiptare, ( KKBTSH) organizatë e cila ka pasur shtrirje dhe ka vepruar në disa qendra të Kosovës.

Ky grup i konsoliduar atdhetare me kohë ka vepruar në urdhrat e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Shaban Jashari dhe ka zgjeruar radhët e bashkëluftëtarëve në disa fshatra të Drenicës e më gjerë.

Kjo organizatë, e cila ka vepruar me strategji dhe  konspiracion të thellë ka mbajtur kontakte edhe me kuadro atdhetarësh të Lëvizjes Kombëtare si: Shaban Braha, në Tiranë, pastaj, Halil Alidemaj, ish i burgosur politik dhe veprimtar i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, Ruzhdi Saramati e të tjerë.

Gazetari i Britanisë së Madhe, Xhejms Pettifer, i njohur për simpatinë e tij lidhur lidhur me  luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë viteve 1998-1999, ka botuar librin “Ekspresi i Kosovës”, libër me komente, analiza, vështrime dhe reportazhe nga koha e luftës në Kosovë. I udhëhequr nga kredoja origjinale krijuese dhe nga gjykimi realist, lidhur me zhvillimet në Kosovë, në prag të luftës dhe gjatë kohës së luftës, gazetari anglez, zotëriu, Petifer, në librin e tij ka zbuluar disa fakte shumë interesante të qëndrimeve të njohura të qarqeve të caktuara vendore dhe ndërkombëtare për dhe kundër UÇK-së.  Pettifer në librin e tij ka shkruar edhe për grupin e tretë të shqiptarëve të Kosovës, që ishin stërvitur në Shqipëri, por që  qarqe të caktuara e kishin heshtur sidomos për faktin se ky grup mbështetej nga ish forcat enveriste, të cilat edhe e kishin ndihmuar këtë grup të armatosur.

Asokohe në Tiranë ishte stërvitur grupi në krye me: Jetë Hasanin, që ishte edhe mbështetësi kryesor, pastaj Ramiz Qeriqi, Ilaz Dërguti, Dalip Rizani, Halil Olluri, Sanie Geci, Ilaz Koci, Hysen Ngucati, Naim Rizani.

Duke i bërë një analizë të hollësishme zhvillimeve politike gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar në rajon dhe veçmas në Kosovë, ky gazetar, ka identifikuar me sukses të gjitha veprimet dhe prapaskenat që janë kurdisur dhe janë luajtur, nga qarqe të caktuara, kundër Kosovës e veçmas kundër Ushtrisë Çlirimtare të saj.

Përveç Milosheviqit, sipas z Pettifer në këtë luftë ishte kyçur edhe organizata katolike italiane “Shën Egjidio”, pastaj organizata e quajtur antikomuniste “Opus Dei”, të cilat kishin shërbimet e tyre sekrete në mesin e disa prifërinjve dhe politikanëve të Kosovës. Këto organizata kishin qëndrime ekstreme kundër myslimanëve. Petifer konstaton me të drejtë se “Milosheviqi e shihte kishën katolike në Kosovë si një forcë pozitive kundër shqiptarëve shumicë dërrmuese myslimane të vendit.”

Organizata masone katolike “Shën Egjidio”, sipas gazetarit britanik parapëlqente sundimin e serbëve në Kosovë, madje edhe me Milosheviqin në krye, meqë kishte orientim ekskluziv kundër myslimanëve, por në të njëjtën kohë kishte një miqësi të çuditshme dhe të pashpjegueshme me Ibrahim Rugovën, i cili në saje të emrit dhe prejardhjes familjare, konsiderohej të ishte me fe islame. Pikërisht përmes kësaj organizate mafioze, me ndërmjetësimin edhe të një prifti serb nga rrethi i Istogut, klani i Ibrahim Rugovës, kishte arritur të ashtuquajturën Marrëveshje të Arsimit, e cila ishte marrëveshje skandaloze dhe kompromituese, ndër të tjera edhe me faktin se nënshkrimi i Rugovës në fund të asaj marrëveshjeje, nuk pasohej me asnjë post qoftë edhe të liderit politik, por vetëm me emrrin dhe mbiemrin e tij.

Xhejms Pettifer në librin e tij “Ekspresi Kosovës” ka ofruar edhe disa fakte të reja, për të cilat nuk di sa duhet opinioni ynë në Kosovë. Ai shkruan sesi në kohën e sundimit anarkik të Salih Berishës, për shkak se atje stërviteshin komandanti i ardhshëm Legjendar, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, të dy ishin burgosur e më pastaj përmes intervenimeve ishin liruar nga burgu. Petifer me gjuhën e fakteve denoncon edhe shumë oficerë të SHIK-ut të Salih Berishës të cilët bënin tregti dhe përfitonin nga informatat që iu dërgonin shërbimeve sekrete, lidhur me organizimin e UÇK-së. Ky bashkëpunim kolaboracionist thotë Petifer shkaktoi arrestimin madje edhe likuidimin e disa kuadrove të larta të UÇK-së.

Injorimin që i ka bërë Ibrahim Rugova luftës së UÇK-së dhe legjendarit Adem Jashari, Petifer në librin e tij ”e quan gabim të keq dhe tradhti ndaj Kosovës”.

Libri, Ekspresi i Kosovës, i shkruar nga një gazetar me famë botërore, gazetar i guximshëm dhe i palodhshëm i terrenit nëpër vendluftime, nga analisti i njohur botëror, Xhejms Petifer ka një vlerë të veçantë, sepse është shkruar nga përjetimet e veta individuale, autentike të zhvilluara në terren. Ai nuk ishte gazetar i zyrave  që kapërdiseshin në Tiranë apo në Prishtinë, sikur ishin shumica dërrmuese e gazetarëve tanë, përveç gazetarëve të Radios-”Kosova e Lirë” dhe ”Agjencisë Kosovapress”, që transmetonin në zonat e luftës së UÇK-së.

Vepra e gazetarit, Xhejms Petifer, ka vlera të rëndësishme për historinë e luftës së UÇK-së, edhe me faktin se ky gazetar, me kohë kishte vërejtur se trimat dhe trimëreshat e Adem Jasharit, të cilët me kallashë në duar shëtisin nëpër Kosovë, ata do t` ia sillnin lirinë atdheut të tyre.

Sylë Qeriqi ka folur për pikat e para të UÇK-së në Drenicë e më gjerë, për konsolidimin e radhëve, zënien i pikave strategjike për të mos lejuar depërtimin e Policisë dhe ushtrisë serbe në Drenicë qysh më 14 qershor të vitit 1998 e më vonë edhe në fortifikimin e pikave të tjera, deri në kohën e strukturimit të UÇK-së në tetor nëntor të vitit 1998.

Me gjerësisht biseda e regjistruar në fund të faqes…

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …