Në kuadër te agjendës së 150 vjetorit të qytetit të Ferizajt, nga dita e sotme e deri me datën 9 qershor do të zhvillohen aktivitete në kuadër të agjendës “Java e KFOR-it”. Hapjen zyrtare të këtij aktiviteti e ka bërë Dashurije Ahmeti, përgjegjëse e sektorit të rinisë në kuadër të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sipas Ahmetit në kuadër të kësaj javë, janë paraparë aktivitete të ndryshme, njëra ndër to ishte edhe “Gjuha programuese kompjuterike një hap me suksesin”. Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe Gabriel Burkhardt nga Njësiti i LMT-së së KFOR-it amerikan, i cili e ka vlerësuar tejet lartë këtë aktivitet. Ai ka thënë se ndien kënaqësi të veçantë që të bashkëpunojë me të rinjtë ferizajas. Gjatë kësaj jave do të zhvillohen edhe aktivitete siç janë prezantimi i aktiviteteve fizike dhe mendore në angazhimin ushtarak, koloni artistike me të rinjtë, aktivitete sportive, si dhe aktivitete me fëmijët nga kopshtet.