leoni

Në Ferizaj ndërtohet stadium futbolli me kritere ndërkombëtare

Ministri i MKRS-së Kujtim Shala dhe kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Ferizaj, në vlerë rreth 10 milionë euro. Të dy nënshkruesit vlerësuan se ky është njëri nga investimet më të mëdha që bëhen në Ferizaj e rrethinë viteve të fundit, si dhe paraqet mbështetje të drejtpërdrejtë për zhvillimin dhe masivizimin e sportit. Ministri Shala u shpreh se përveç investimit, me rëndësi është partneriteti i mirë me komunën e Ferizajt, i cili po kurorëzohet me një vepër kapitale, ndërsa kryetari Svarqa e vlerësoi projektin si tejet të rëndësishëm për komunën e Ferizajt dhe për infrastrukturën sportive në përgjithësi. Projekti i ndërtimit të stadiumit, sipas memorandumit të nënshkruar, pritet të realizohet që nga sivjet e deri në vitin 2021. Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit obligohet të investojë 8 milionë e 30 mijë euro, të marrë pjesë në mbikëqyrjen e kontratës dhe të kujdeset për zbatimin e projektit, së bashku me komunën e Ferizajt. Kurse komuna e Ferizajt obligohet që të investojë 1 milion e 300 mijë euro deri në përfundim të projektit, të menaxhojë dhe zhvillojë procedurat për zbatimin e memorandumit. Stadiumi i qytetit në Ferizaj është planifikuar të ndërtohet afër palestrës “Bill Clinton” dhe do t’i plotësojë kriteret e federatës evropiane dhe asaj botërore të futbollit. Ministri Shala e vizitoi edhe hapësirën ku do të ndërtohet stadiumi i ri.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …