Të rinj të moshës shkollore, autoritete komunale të Ferizajt, përfaqësues të KRU “Bifurkacioni” dhe të Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike, shënuan sot simbolikisht, me disa aktivitete, Ditën botërore të ujërave.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, drejtori i KRU “Bifurkacioni, Nazif Asllani, drejtues të IRSHP Sylejman Topalli, Minire Reçica e të tjerë, u folën të rinjve për nevojën e kujdesit ndaj burimeve ujore, si kujdes për vetë jetët tona.
Me këtë rast u tha se kapacitetet përpunuese të ujit në Ferizaj aktualisht janë 180 deri 200 litra për sekondë, 80 për qind e popullatës furnizohet me ujë nga rrjetet e ujësjellësve rreth 20 orë në ditë, se vetëm gjysma e puseve janë të cilësisë që mund të përdoren për nevoja familjare etj.
Nxënësit e pranishëm u interesuan të mësojnë hollësisht për kapacitetet ujore të komunës së Ferizajt, përse ka reduktime të ujit, çfarë është cilësia e ujit që e përdorim në shtëpi, sa janë humbjet e ujit, me çfarë tubacioni vjen uji në krojet e konsumatorëve, sa gjobiten keqpërdoruesit e ujit etj.
Zyrtarë të KRU “Bifurkacioni” dhe të IRSHP shpjeguan se as burimet aktuale ujore, as kapacitetet përpunuese, nuk i mbulojnë të gjitha nevojat e qytetarëve, por po bëhen përpjekje që gjatë viteve të ardhshme të gjenden burime të reja dhe të ndërtohen objekte përpunuese. Ata pohuan se uji i ujësjellësve është i cilësisë së mirë dhe kontrollohet vazhdimisht.
Autoritetet komunale dhe zyrtarët që merren me furnizim me ujë ose me kontrollin e tij, u bënë thirrje edhe një herë qytetarëve që ta kenë kujdes ujin, ta çmojnë dhe ta ruajnë si pasuri të pazëvendësueshme.
Të rinjtë pjesëmarrës u shpërndanë qytetarëve informacione për nevojën e kujdesit ndaj ujërave. Ata vizituan edhe fabrikën e ujit në Pleshinë.