Në një ceremoni solemne të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës në fshatin Babush të Komunës së Ferizajt u hap nyja lidhëse Konjuh-Babush të Autostradës “Arbën Xhaferi”, që përshkon rreth 20 km në drejtin të Kaçanikut. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar me këtë rast se është me rëndësi themelore që kemi arritur të bëjnë këtë punë të madhe siç është inaugurimi i një pjese shumë të rëndësishme të autostradës “Arbën Xhaferi”.
Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi në përurimin e një pjese të autostradës, Prishtinë Shkup ka thënë se kjo është dhurata më e mirë që mund të bëjnë institucionet e Kosovës për shtetin dhe gjithë qytetarët e Kosovës për Vitin e Ri. “Kjo është Kosova e re që po ndërtojmë, është projekti i Kosovës evropiane, Kosovës moderne, ky është projekti që tregon se ne ëndrrat po i bëjmë realitet, idetë dhe projektet po i realizojmë. Sot Kosova është shndërruar në një model të infrastrukturës rrugore moderne në rajon”, tha ai.
Kryekuvendari Veseli, me rastin e përurimi të nyjës dhe një pjese të Autostradës, Prishtinë-Shkup ka deklaruar se atdheu ynë është shembull i infrastrukturës jo vetëm në rajon por edhe në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës ndoshta është vendi i cili është duke i ndërtuar të gjitha këtë infrastrukturë moderne, duke u shndërruar në vend lider në regjion pa pasur deficit buxhetor dhe në të njëjtën kohë të gjitha duke i ndërtuar nga buxheti i Republikës së Kosovës, tha Veseli.