Sot në fshatin Burojë, në një ceremoni të organizuar nga komuna e Skenderajt në bashkëpunim me shoqatat e luftës, dhe në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së, është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në shtëpinë e familjes Hoti, në të cilën gjatë luftës janë bashkërenduar aktivitetet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në aksionet e tyre luftarake ndaj forcave serbe. Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në fjalimin e tij, ka shprehur respektin për familjen Hoti, për kontributin e saj gjatë luftës në Kosovës. Ai ka thënë se kjo pllakë përkujtimore do të shërbejë për gjeneratat e ardhshme, që të kuptojnë më mirë rrugëtimin e Kosovës dhe popullit të saj deri te liria. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë ish-komandantë të UÇK-së, gjeneralë, bashkëluftëtarë dhe një numër i madh i qytetarëve.