Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media, bëri të ditur se mbrëmë, rreth orës 20.00, persona të panjohur kanë sulmuar me gurë, vezë dhe shishe deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Drejtuesin e Shtabit Qendror të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshin, kandidatin për kryetar të Shtimes, Ruzhdi Jashari dhe disa aktivistë e simpatizues. “Ata u sulmuan pas përfundimit të tubimit të Lëvizjes vetëvendosje në fshatin Caralevë të Komunën e Shtimes, vendlindja e kryetarit aktual të Komunës së Shtimes. Sipas VV-së, aktivisti Arbër Krasniqi ka marrë lëndime nga sulmi që është kryer para pranisë së zyrtarëve të policisë, “jo më larg se 5 metra prej tyre”. Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar organet ligjzbatuese që të ndërmarrin urgjentisht veprime për zbulimin dhe dënimin e sulmuesve. “Këto sulme që shpërfaqin panikun e pushtetit lidhur me fuqizimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Shtimes dhe kudo në Republikën e Kosovës nuk do të mund ta ndalin vullnetin popullor për ndryshimin e madh politik, të filluar më 11 qershor dhe që do të masivizohet edhe më shumë në rezultatin e zgjedhjeve të 22 tetorit”, përfundoi komunikata e VV-së.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti: Buxheti i vitit 2025 është buxhet i qytetarëve dhe për qytetarët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të buxhetit për vitin 2025, që …