Në fshatin Pastaselë përkujtohen 106 civilët e vrarë në luftën e vitit 1999

Në fshatin Pastaselë të komunës së Rahovecit janë përkujtuar 106 civilë të vrarë, e më pas edhe të masakruar, ndërsa një pjesë e tyre edhe të djegur. Kjo masakër është bërë me 31 mars të vitit 1999 nga forcat serbe. Në tubimin përkujtimor në shënimin e 23 vjetorit, i pranishëm ka qenë edhe Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, përfaqësues të OVL, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të fshatit Pastasellë dhe fshatrave përreth. “Në ditën e fundit të marsit të përgjakur të vitit 1999, ndodhi një prej krimeve më mizore nga kriminelët serbë në fshatin Pastasel të Rahovecit, ku u vranë 106 fëmijë, gra, pleq e burra të paarmatosur. Banorë të Pastaselit, por edhe të fshatrave përreth, Guri i Kuq, Zatriq, Polluzhë, Kaznik, Kramovik, Çifllak, Senoc dhe nga komuna e Klinës, kishin gjetur vendstrehim në fshat për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre nga krimet gjenocidiale serbe që kryheshin gjithandej Rahovecit dhe Kosovës. Ajo ditë e përgjakshme fundmarsi, do të mbetet e pashlyer në kujtesën tonë, për krimet e llahtarshme që përjetoi populli ynë gjatë përpjekjeve për çlirim. Drejtësia dhe dënimi i krimeve të padënuara të 31 marsit 1999, do të jetë qëllimi ynë kryesor deri në realizim, për të qetësuar shpirtrat e familjeve dhe popullit tonë për humbjet e mëdha njerëzore. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve të luftës”, ka thënë ndër të tjera në fjalimin e tij kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …