Në fshatin Qirez të Drenicës janë përkujtuar dëshmorët që kanë rënë për liri. Aty, sot u zbulua edhe lapidari për dëshmorët Zymer Ferati, Aziz Ferati, Osman Salihu, Lulzim Ferati, Lutfi Salihu dhe Isuf Ferati. Në ceremoninë e zbulimit të lapidarit, u tha se sot po i kujtojnë ata që nuk kursyen jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se muaji prill u sjell në kujtesë sakrificën e popullit shqiptar. “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte madhështore, ajo ka heronjtë e vet dhe trimat që nuk u dorëzuan në rrugëtimin tonë drejtë lirisë së vendit. Të tillë ishin edhe Zymer Ferati, Aziz Ferati, Osman Salihu, Lulzim Ferati, Lutfi Salihu dhe Isuf Ferati. Sot dhe përgjithmonë nëpërmjet lapidarit të ngritur në nderim të tyre, do t’i kujtojmë këta burra për trimërinë e tyre në luftën çlirimtare”, ka thënë Bekim Jashari. Homazhe pranë lapidarit të zbuluar kanë bërë edhe familjare e ish-luftëtarë të UÇK-së, përfaqësues të OVL UCK, dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Po sot është zbuluar edhe përmendorja e heroit të kombit, Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114, Fehmi Lladrovci gjatë luftës së UÇK-së i rënë dëshmor me 30 prill të vitit 1999.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …