Në fshatin Senoc të Komunës së Rahovecit zbulohet pllaka përkujtimore për të rënët e luftës së vitit 1999

Gjatë ditë së diele, të datës 29 Korrik, në fshatin Senoc të Komunës së Rahovecit është zbuluar pllaka përkujtimore në nderim të Dëshmorit, Sadri Fazli Krasniqi dhe martirëve të këtij fshati, në zbulimin e pllakës e cila është ndërtuar nga buxheti i komunal kanë marrë pjesë Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi me bashkëpunëtor, familjar dhe bashkëluftëtar të dëshmorëve dhe martirëve. Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore, Kryetari Latifi, ka thënë: Sadri Krasniqi edhe pse i ri në moshë, nuk ngurroi të futet në rrugën e luftës për çlirim, u bë pjesë e UÇK-së dhe në këtë përpjekje ai gjeti përkrahjen e plotë të familjes Krasniqi. Ai do të bie dëshmor në këtë rrugëtim të drejtë, duke i lënë nderë tokës shqiptare, idealit për çka luftoi, emrin e pavdekshëm familjes, farefisit, fshatit, Anadrinit dhe gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hordhitë serbe e vranë Sadriun me 17 maj të vitit 1999, rënie që la boshllëk në familje dhe në radhët e luftëtarëve të UÇK-së. Më 17 maj 1999 humbëm në përpjekje edhe një luftëtar, por të gjithë ne dhe Kosova e kombi ynë, fitoi edhe një dëshmor, emri i të cilit do të kujtohet nga brezat e sotëm dhe brezat pas nesh. “Të përkujtojmë se pushtuesi serb ka bërë krime dhe masakra të tmerrshme në këto troje, vetëm pse ishim shqiptarë dhe kishim të drejtë për lirinë tonë të shkelur nga Serbia. Krimet e shtetit serb janë të rënda dhe kurrë nuk plaken. Serbia zgjodhi mjetet më çnjerëzore për të vrarë: pleq, gra, të rinj e të reja, fëmijë e foshnje-nuk la mjet pa e përdorur për të ç’farosur shqiptarët nga trojet e veta. Dogji shtëpi e bagëti, vodhi e plaçkiti, dëboi e torturoi shqiptarët e paarmatosur. Në Senoc, si në shumë vendbanime e vise të Kosovës, nga Serbia dhe aparati i saj policor dhe ushtarak u vranë: -Jakup Krasniqi, i lindur me 01.01.1912, i rënë me 10. 04.1999; -Muharrem Morina, i lindur me 20.03.1928, i rënë me 9.04.1999; -Shaban Krasniqi, i lindur me 01.11.1945, i rënë me 10.04.1999; -Sali Krasniqi, i lindur me 23.10.1954, i rënë me 31.03.1999 -Fadil Krasniqi, i lindur me 06.06.1974, i rënë me 08.05.1999 dhe – Merdete Morina, e lindur me 19.01.1994, e rënë me 04.09.1998. Sot, jemi mbledhur të shpalosim këtë lapidar në kujtim të jetës dhe veprës së tyre, e cili na dëshmon neve dhe brezave pas nesh, se liria i ka rrënjët në gjak, atë kemi detyrim ta ruajmë, forcojmë, zgjerojmë e përparojmë, sepse, çmimin e lirisë e kanë paguar njerëzit e këtij vendi, me gjakun dhe jetën e tyre – dëshmorët dhe martirët”, ka thënë ndër të tjera Kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …