Në Gjykatën Speciale, në Hagë, vazhdoi paraqitja e dëshmitarit të gjashtë të Prokurorisë në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së. Në seancën e sotme gjyqësore, dëshmitari me kodin 4355 vazhdoi t’ iu përgjigjet pyetjeve të Prokurorit. Sapo ka filluar gjykimi, me qëllim për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit seanca është mbyllur për publikun. Dëshmitari i gjashtë i Prokurorisë ka filluar të merret në pyetje nga dita e djeshme. Një pjesë e dëshmisë së tij u dëgjua në seancë të mbyllur për publikun si masë për mbrojtjen e tij. Dëshmitari i gjashtë me kodin 4355, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Jakup Krasniqit, avokatit Aidan Ellis ka thënë se në vitin 1998 është përpjekur të kontaktojë me Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin. Ai po ashtu tha se njerëzit i kishin thënë se Adem Demaçi ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së, andaj edhe kishte shkuar në Prishtinë. Ai kishte shkuar në fshatin e Jakup Krasniqit për ta takuar atë së bashku me nënën e tij, por që nuk e kishin gjetur dhe se për çështjen e tyre nuk kishin biseduar me të. Dëshmitari i gjashtë ka përfunduar dhënien e dëshmisë së tij ndërsa ka filluar paraqitjen dëshmitari i shtatë në këtë çështje, i cili është përgjigjur në pyetjet e Prokurorit në sesion privat. Katër dëshmitarët e parë në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së dhanë dëshmitë e tyre në seanca të mbyllura për publikun. U bënë dy vjet e gjysmë prej kur ish-kryetari, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë. Në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.
