Në Gjykatën Speciale, në Hagë, ka vazhduar procesi gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët qe katër vjet po mbahen në burg. Prokuroja Silvia D’Ascoli, ka njoftuar për dëshmitarët që planifikohet që të japin dëshmi gjatë kësaj jave. Sipas saj dëshmitari i parë, i koduar, do të paraqitet, si dhe tre dëshmitar me video-lidhje. Pas këtyre pritet të paraqiten dy dëshmitarë të mbrojtur me kode të caktuara. Dëshmitari i fundit, Nuredin Ibishi, të enjten më 24 tetor, u ballafaqua me deklaratat që i ka dhënë më herët për Prokurorinë. Ai tha se asnjëherë nuk i kujtohet që ka thënë që Jakup Krasniqi ka qenë komandant. Sipas kalendarit, gjykimi gjatë kësaj jave, pritet të mbahet në katër seanca gjyqësore, raporton RTK.
