Në Gjykatën Speciale, në Hagë, po vazhdon gjykimi kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Edhe sot pritet ta vazhdojë paraqitjen dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorisë, me kodin W04644. Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar në gjykatë, ky dëshmitar ishte ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1998, ndërsa disa nga anëtarët e familjes së dëshmitarit u vranë pas ndalimit. Ky është dëshmitari i 26-të i Prokurorisë deri më tani. Në seancën e djeshme, pyetjet dhe përgjigjet e këtij dëshmitari janë dhënë në sesion privat. Ky dëshmitar i mbrojtur po merret në pyetje edhe në seancën e sotme.
