Kadri Veseli

Në Gjykatën Speciale u publikua dosja paraprake e avokatit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, z. Ben Emmerson

Në Gjykatën Speciale në Hagë është publikuar dosja paraprake e avokatit  të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Pjesa më e madhe e kësaj dosjeje përshkruan ngjarje historike që ndërlidhen me zhvillimet e luftës, teksa pjesa tjetër e publikuar flet për rolin e Veselit në luftë, dëshmitë e dëshmitarëve që përshkruajnë mos-ndërlidhjen e të akuzuarit me krimet e pretenduara si dhe deklaratat kundërthënëse të dëshmitarëve tjerë që bien ndesh me akuzat ndaj Veselit. Mbrojtja ka përshkruar se si Kadri  Veseli në përputhje me rolin e tij, zhvillonte diskutime paralele dhe në kohë reale me shërbimet inteligjente të disa prej shteteve anëtare të NATO-s. “Më 6 shkurt 1999, në një përpjekje të fundit për të shmangur një konflikt të armatosur ndërkombëtar në shkallë të plotë, palët u mblodhën në Rambuje të Francës për bisedime të ndërmjetësuara. Mirëpo, negociatorët ndërkombëtarë e vlerësuan delegacionin të pa sinqeritet. Më 19 mars 1999, Serbia filloi lëvizjet e konsiderueshme të trupave në kufi. Të nesërmen ato forca filluan një ofensivë të re të madhe në pjesët qendrore dhe veriore të Kosovës. Kadri Veseli nuk ishte pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje. Ai ishte i pranishëm, por, në përputhje me rolin e tij, ai mbeti jashtë kështjellës ku po zhvilloheshin bisedimet, me qëllim që të zhvillonte diskutime paralele dhe plotësuese në kohë reale me shërbimet e inteligjencës të disa shteteve anëtare të NATO-s”, është thënë mes tjerash në dosjen paraprake të avokatit të Kadri,Veselit, z Ben Emmerson.

Sipas mbrojtjes, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka konfirmuar se Kadri Veseli nuk pretendohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në ndonjë prej krimeve të pretenduara në aktakuzë.

Siç ka thënë mbrojtja, ZPS-ja nuk ka ofruar prova se Veseli ka ndihmuar ose nxitur ndonjë krim të tillë.

“Nuk ka asnjë dëshmi se z. Veseli ka kryer ndonjë vepër penale gjatë periudhës së aktakuzës. SPO-ja ka konfirmuar zyrtarisht se ai nuk pretendohet të ketë marrë pjesë drejtpërdrejt në ndonjë nga krimet e pretenduara në këtë aktakuzë. As prokuroria nuk ka ofruar prova se ai ka ndihmuar ose nxitur ndonjë krim të tillë. Ka prova të kufizuara në rastin e prokurorisë në lidhje me rolin e z. Veseli në Shtabin e Përgjithshëm. Nuk ka asnjë dëshmi se ai ka marrë pjesë në mbledhje të rregullta dhe nuk ka dëshmi se ai ka qenë marrës i raporteve të rregullta nga Shtabi i Përgjithshëm. Nuk ka asnjë dëshmi se ndonjë njësi apo personel është caktuar në komandën e z. Veseli dhe nuk ka asnjë urdhër të nënshkruar nga z. Veseli apo të lëshuar në emër të tij”, është thënë në dosjen e publikuar të mbrojtjes së Veselit.

Për më tepër mbrojtja e Veselit ka ofruar edhe dëshmitë e dëshmitarëve, që sipas saj nuk ngrejnë pretendime ndaj Veselit për krime të kryera.

“Dëshmia e W02144 është se ai është takuar dy herë me z. Veseli në Korrik 1998. Ai konfirmon se ai kurrë nuk ngriti pretendime specifike për krime ndaj z. Veseli. Ndërsa në takimin e parë, çështja e paraburgimit nuk u ngrit fare, në takimin e dytë çështja që ngriti është vetëm në terma të përgjithshëm. Kjo ishte për shkak se, siç ai shpjegon, [Redaktuar]”, është thënë në dosjen e mbrojtjes së Veselit.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson, ka përshkruar se edhe në takimin e pretenduar të ndodhur nga prokuroria, në mes të Veselit, Thaçit dhe disa zyrtarëve të LDK-së, dëshmitarët pohojnë se nuk janë të sigurt se Veseli ishte aty.

Një dëshmitar tjetër, në lidhje me pretendimet për krime në Kukës, siç ka e cituar mbrojtja, kishte thënë se ka ngatërruar Kadri Veselin me një person tjetër me këtë mbiemër, dhe në fakt ai nuk e njihte Kadri Veseli.

“Dëshmitari ka dëshmuar në deklaratat e mëparshme se në fakt ai e kishte ngatërruar Kadri Veselin me një anëtar tjetër të familjes Veseli, dhe në fakt ai nuk e njihte Kadri Veselin.  Meqenëse kjo ishte baza për identifikimin e tij në radhë të parë, i bën deklaratat e tij të pavlefshme si prove në rastin konkret. Mbrojtja do të paraqesë se në mungesë të vërtetimit të drejtpërdrejtë, dëshmia e tij duhet të jetëpërjashtuar”, është thënë në këtë dosje.

Pretendimet e prokurorisë për prani të Veselit, hedhen poshtë edhe për dyshimet për krime në Kleçkë.

Mbrojtja në dosjen e saj përshkruan se për praninë e Veselit në Kleçkë, ka folur një dëshmitar që kishte dëshmuar edhe në gjyqin e EULEX ndaj Arben Krasniqit.

Në atë rast, për të njëjtin dëshmitar, mbrojtja thotë se gjyqi kishte konstatuar se ai është një “gënjeshtar bindës dhe manipulues”

“Dëshmia e vetme në lidhje me praninë e z. Veseli në Kleçkë vjen nga dëshmitari [Redaktuar], i cili tani është [Ridaktuar]. 60 Dëshmia e atij dëshmitari nuk është mbështetur në gjyqin e EULEX-it ndaj Arben Krasniqit. Gjykata në atë rast e përshkroi atë si ‘një gënjeshtar bindës, manipulues’. 61 Gjykata vazhdoi duke renditur në detaje gënjeshtrat e shumta që ai tha në provat e tij dhe përfundimisht arriti në përfundimin se, ‘mospërputhjet dhe kontradiktat e gjetura nga gjykata janë jo mospërputhje që mund të jenë produkt i një kujtimi, vëzhgimi ose rindërtimi të ndershëm, por të papërsosur të ngjarjeve për të cilat ai dha dëshmi’”, ka cituar mbrojtja e Veselit.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …