Në Gjykatën Themelore të Shkupit, filloi procesi gjyqësor kundër 29 shqiptarëve, të dyshuar si pjesëmarrës të një grupi të armatosur, e të cilët më 9 e 10 maj të vitit të kaluar janë përleshur me policinë sllavomaqedonase në Kumanovë. Sipas Kodit Penal të këtij shteti ata ngarkohen me veprat penale “organizim terrorist”, në ndërlidhje me përleshjet e armatosura që ndodhën në Kumanovë. Procesi gjyqësor është mbajtur nën masa të shtuara të forcave të policisë, para objekteve të Gjykatës dhe në pikat qendrore të qytetit të Shkupit. Prokurori publik në Maqedoni, Naum Panovski gjatë leximit të akuzës ka theksuar se në bazë të dëshmive me të cilat disponon prokuroria, gjatë procesit gjyqësor do të dëshmohet se të akuzuarit për rastin e Kumanovës, me paramendim kanë kryer veprën për të cilën ngarkohen. Prokuroria e Maqedonisë ka theksuar se grupi i armatosur, i përfshirë në ngjarjet e Kumanovës, është përbërë nga 18 shtetas të Kosovës, të cilët kanë marrë ndihmë logjistike nga shtetas të Maqedonisë.
Të gjithë të 29 të akuzuarit, në dhjetor të vitit të kaluar para Gjykatës Themelore të Shkupit, u deklaruan të pafajshëm. Pala mbrojtëse e ka hedhur vendosmërisht poshtë akuzën për terrorizëm, duke kërkuar që rasti i Kumanovës, t’i jipet në shqyrtim Prokurores Speciale, Katica Janeva, pasi sipas avokatëve mbrojtës, ngjarjet kanë prapavijë tjetër nga ajo që përfaqëson Prokuroria Publike e Maqedonisë. Familjarët dhe organizatat për mbrojtjen e lirive të njeriut kanë shprehur skepticizëm se do të zhvillohet një proces i drejtë për rastin e Kumanovës. “Gjykim të drejtë nuk presim aspak, sepse Maqedonia si shtet është nënshkruese e konventave për mbrojtjen dhe liritë e njeriut, por ajo nuk i respekton ata konventa. Ne nuk presim gjykim të drejtë, por gjithçka zhvillohet në bazë të aktiviteteve kriminale që i ka organizuar vetë qeveria Maqedonase”, është shprehur për mediat Idriz Sinani, kryetar i Forumit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni. Gani Krasniqi babai i të akuzuarit Muhamed Krasniqi për radion Evropa e Lirë ka theksuar se nuk beson në drejtësinë maqedonase,sepse nga i biri ka mësuar se dy shokët e tij janë vrarë, siç thotë nga policia maqedonase, pasi u janë dorëzuar autoriteteve të rendit.
“Si mund të presin drejtësi, kur njerëzit e dorëzuar, pra peng, janë vrarë, për dy kemi të dhëna, pra për dy jemi të sigurt 100% . Si të presim drejtësi kur edhe para një muaji ju treguam se të akuzuarit tërë kohën keqtrajtohen në burg. Të presësh drejtësi,është sikur ‘cjapi pret mëshirë nga kasapi’”, tha Gani Krasniqi. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të sigurojë prononcim nga autoritetet për pohimet e zotit Krasniqi. Ndërkaq, Hata Kuçi motra e Fadil Elshanit ka shprehur indinjatën e saj se familjarëve edhe sot nuk u është lejuar të marrin pjesë në seancën gjyqësore, duke kufizuar pjesëmarrjen vetëm në një anëtar nga familja.
“Prej andej (Kosovës) rrugën e kemi marrë dhe nuk na lejojnë të hyjmë për të ndjekur seancën gjyqësore edhe pse jemi paraqitur me rregull përmes avokatit mbrojtës. Vëllai im është i pafajshëm”, thekson zonja Hata Kuçi. Ndërkaq Shefki Rushiti nga fshati Brezë, malësia e Shkupit, thotë se kusheriri i tij Fejzulla Rushiti akuzohet pa të drejtë, sepse ditën e ngjarjes ka qenë duke punuar në arrën e tij në fshat. “Nuk është e vërtetë se kushëriri im është terrorist, unë nuk besoj. Bëhet fjalë për manipulime sepse edhe fëmijët e vegjël tanimë e din se janë të pafajshëm dhe duhet të lihen të lirë”, thekson Shefki Rushiti. Ndryshe më 9 dhe 10 maj gjatë vitit të kaluar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, gjatë një përleshjeje të një grupi të armatosur me forcat e sigurisë, mbeten të vrarë 8 pjesëtarë të policisë maqedonase, si dhe 10 persona të nga grupit i armatosur. (REL)