Një projekt unik është përuruar sot, ai i instalimit të paneleve diellore/ fotovoltaike dhe ndërrimin/vendosjen e poçave me efikasitet të lartë në katër institucionet arsimore publike në Ferizaj, të cilat u realizuan falë projektit CBCEcoKid të mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe me pjesëmarrje buxhetore edhe të Komunës së Ferizajt. Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, bashkë me ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi, Udhëheqësin e Seksionit të bashkëpunimit në Zyrën e BE në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen dhe Kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, komunë kjo partnere e Ferizajt në kuadër të Programit të BE-së për Bashkëpunim Ndërkufitar IPA II, Kosovë – Maqedoni e Veriut, kanë përuruar këtë projekt në institucionin parashkollor “Ardhmëria jonë”, projekt që është realizuar edhe në Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” si dhe shkollat fillore “Jeronim de Rada” dhe “Gjon Serreçi”, si vizion i komunës së Ferizajt për kursimin e energjisë elektrike, duke përdorur burime të këtilla alternative.