Në Klinë është mbajtur Akademi përkujtimore kushtuar 4- Prillit Ditës së të Zhdukurve të Komunës  

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, është mbajtur Akademi përkujtimore kushtuar 4- Prillit Ditës së të Zhdukurve të Komunës së Klinës. Përveç familjarëve, në këtë akademi kanë marrë pjesë zyrtarë të pushtetit lokal, të Qeverisë së Kosovës, Asosacionit të Personave të Zhdukur dhe personalitete tjera të jetës politike e kulturore.

4 Prilli i vitit 1999, akoma është i freskët në mendjet e qytetarëve të Klinës. Janë të freskëta kujtimet për ngjarjen e tmerrshme. Shtatëmbëdhjetë vite me parë, forcat serbe ushtarake të ndihmuar nga paramilitarët serbë, në fshatin Kralan të Gjakovës, në një luginë të këtij fshati, kanë marrë me vete 87 qytetarë të Klinës, të cilët i kishin ndarë nga popullata dhe nga atëherë asgjë më nuk dihet për fatin e tyre. Ata ishin maltretuar në forma të ndryshme për t’i ekzekutuar më pastaj. Pas masakrës së Kralanit, pasoj ajo e Pastaselit, ku u rrëmbyen, u ekzekutuan dhe u zhduken 13 qytetarë të Komunës së Klinës, si dhe 35 të tjerë në qytet dhe fshatrat përreth. Trupat e pajetë të disa prej tyre janë identifikuar, kurse edhe për më shumë se 50 persona të tjerë akoma nuk ka asnjë gjurmë.

Në akademinë e mbajtur, kryetari i Klinës, Sokol Bashota, tha se Klina tash e 17 vite përjeton dhimbje, pasi që në këtë ngjarje u ndanë nga ne më të dashurit tanë. “Sot ndihem shumë i vogël pranë dhimbjes suaj dhe sakrificës së gjithë këtyre djemve dhe vajzave që janë themeli i Pavarësisë së Kosovës. Ne si institucion jemi munduar sadopak që të nderojmë të dashurit tonë duke skalitur emrat e tyre në shesh që t’ju tregojmë gjeneratave të ardhshme se në Kosovë dhe për Kosovën kanë rënë djemtë dhe vashat më të mira të këtij vendi”, tha Bashota, për të shtuar, se “ata do të jenë në mesin tonë jo vetëm tash, por edhe për gjitha gjeneratat tjera, sepse me gjakun dhe sakrificën e tyre u krijua mundësia që ky vend të jetë i lirë”, theksoi kryetari Bashota.

Megjithëse, kjo është ndër ngjarjet me të rënda në Kosovë, gjatë luftës akoma askush nga ata që kanë kryer këtë krim nuk janë përgjigjur para Gjykatës, ani pse ka dëshmitarë të gjallë që tregojnë për atë tmerr që kishte ndodhur. Familjarët klinas që kanë persona të pagjetur vazhdojnë të jetojnë në mes ankthit dhe pritjes.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …