Festivali Folklorik, “I Këndojmë Lirisë”, që mbahet për herën e 18-të, në Klinë, ka nisur natën e parë me paraqitjen në skenë të shoqërive, ansambleve artistike, grupeve e rapsodëve nga troje të ndryshme etnike shqiptare. Interesimi i spektatorëve për të qenë të pranishëm në hapjen e festivalit ishte i madh ku në hyrje të hapësirës ku mbahej festivale, ku simbolikisht ishte vendosur porta triumfale ia mësynë para fillimit të festivalit shumë qytetarë të Klinës, rrethinës por edhe viseve të tjera të Kosovës, Shqipërisë e diaspora si dhe personalitete të shquara të jetës politike, shoqërore e kulturore. Të pranishmit i përshëndeti dhe iu uroi mirë se ardhje, kryetari i Komunës së Klinës Prof. Dr. Zenun Elezaj, i cili theksoi se ka nderin dhe privilegjin që si kryetar i Komunës së Klinës, këtu në vendlindjen e Heroit të Kombit Mujë Krasniqi, ta hap Edicionin e XVIII-të të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar me karakter tradicional “I këndojmë lirisë” – Klinë 2018, për të vazhduar për tri net në Klinën e bukur, në qytetin e rilindur falë shpirtit sakrifikues, vullnetit për të ndryshuar dhe punës së madhe për ta bërë ndryshimin pjesë të jetës sonë të përditshme.
“Që nga mbërritja e frymës së lirisë në Kosovë, përmes këtij festivali na janë krijuar mundësitë që të takohemi çdo vit në Klinë, t’i shkëmbejmë tek njëri-tjetri vlerat traditat dhe kulturën, të ndihemi një pjesë e vetme e kombit. Festivali tradicional “I këndojmë lirisë” që mbahet që nga mbërritja e frymës së lirisë, i kushtohet simbiozës së fuqishme dhe të përjetshme: lirisë dhe heroit Mujë Krasniqi. Pushka e këtij luftëtari të paepur të lirisë dhe liria që gëzojmë ne sot u bënë dhe mbesin të pandara. Prandaj, kënga kushtuar heroizmit dhe lirisë gjithmonë do të kenë jehonë të madhe këtu dhe kudo tjetër në hapësirat tona shqiptare.
Jam i lumtur që ky festival do të ngre edhe një herë vlerën e atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit tonë. Mbajtja e këtij festivali po merr edhe një vlerë tjetër të veçantë, sepse po mbahet në vitin jubilar të Pavarësisë së vendit tonë, e cila u sublimua falë gjakut të derdhur të Mujë Krasniqit dhe të të gjithë dëshmorëve të tjerë të kombit.
Këtë vit, këtë festival e shënojmë edhe me një të arritur që lidhet me emrin e Mujë Krasniqit: Këtë vit, si shprehje e kujtesës për heroinë Mujë Krasniqi, është lartësuar Kulla e këtij Kolosi të kombit me të njëjtin emërtim, Kulla e Muajë Krasniqit, kullë kjo që monumentalizon rezistencën kombëtare, sakrificën dhe etjen për lirinë e Kosovës.
Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, që starton që nga mbërritja e frymës së lirisë, është vetëm zanafilla e filozofisë sonë politike e strategjike në kulturë. Përgjatë gjithë këtyre viteve ne demonstruam energjinë krijuese të botës artistike shqiptare me një pasuri e larmi tematikash e zhanresh. Edhe sivjet iu këndua të Komandantit Mujë Krasniqit-Kapuçit, sepse Muja pos që ishte luftetarë i shquar i UÇK-së, ai ishte edhe rapsod i njohur. Festivalin e hapi SHKA “Sharri” nga Hani i Elezit me një potpuri këngësh e vallesh, për të vazhduar me këngën Diell e hënë shndrit në këtë dhepër të vazhduar me SHKA “Selman Kadria” nga Istogu me disa këngë e valle. SHKA “Dedë Gjon Lui” nga Tuzi, kishte ardhur në festival me këngët dhe vallet e trevës së tyre si dhe SHKA “Tingujt e vendlindjes” nga Stagova e poashtu edhe Grupi polifonik nga Gjirokastra e rapsodët Kryeziu.Njjë paraqitje me këngë patën edhe “Shotë Galica”e Drenasit dhe SHKA “Dervish Shaqa” nga Deçani. Moderatorë të festivalit folklorik “I Këndojmë Lirisë” janë Shqipe Desku dhe Faik Gashi. Festivasli vazhdon sonte në natën e dytë konkurruese.
(Enver Maloku, zëdhënës i Festivalit)