leoni

Në Klinë, përfundoi Festivali “ I Këndojmë Lirisë”

Nën përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, në Klinë, më 6, 7 dhe 8 qershor, është mbajtur Festivali Folklorik “ I Këndojmë Lirisë”, edicioni i 17-të. Çmimin kryesor të Festivalit, “Mujë Krasniqi”, sipas vlerësimit të jurisë e ka fituar shoqëria kulturo-artistike “Drenica” nga Skenderaj. Juria në përbërje, Zymer Neziri, Sejmen Gjokoli dhe Burim Krasniqi, kanë vlerësuar edhe për 14 çmime tjera të Festivalit. Vendi i dytë i ka takuar SHKA “Shotë Galica” nga Drenasi, ndërsa i treti SHKA “Shqiponja Saraj” nga Shkupi. Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, i cili mbahet në ditëlindjen e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe i kushtohet të gjithë dëshmorëve të Kombit, ka sjellë thesarin e folklorit tonë burimor. Në përmbyllje të Festivalit, kryetari i Klinës, Sokol Bashota, u shpreh se këtë skenë e mbushëm me festivalistë nga vise të ndryshme. “Ka disa që nuk e duan këtë Festival dhe janë munduar ta pengojnë në forma të ndryshme duke mos e përkrahur dhe financuar, por falë vullnetit të pushtetit lokal, ne ia kemi arritur që këtë festival ta bëjmë të tillë, të pranueshëm dhe një ndër festivalet më të mira në trevat shqiptare. U munduan të na pengojnë disa dashakëqij, të cilët po i djegin institucionet e vendit, duke hedhur vezë mbi atë që është i shenjtë, mbi prindin e dëshmorit të kombit Mujë Krasniqi, bacën Lilë, duke çuar një imazh të keq jo vetëm për Klinën, por për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Atyre që djegin institucionet dhe që nuk e duan Kosovën, ju themi mjaft, mos prekni mbi familjet e shenjta dhe mbi vlerat e shenjta të këtij vendi. E gjuajtën gurin dhe u munduan ta fshehin dorën duke thënë se ato ishin për Kryetarin e Klinës. Ne do të vazhdojmë të mbajmë të gjallë këtë festival pavarësisht atyre që mundohen të pengojnë çdo gjë të mirë në Komunën e Klinës dhe Kosovë”, tha Bashota. Sipas tij, Festivali lartëson vlerën e lirisë , të luftës, dhe të artit tonë kombëtar, që na lanë amanet të parët tanë, si mësimin dhe kujtimin më të mirë për t’u edukuar në frymën e traditës dhe të flijimit për gjerat më të shenjta dhe më të shtrenjta , siç janë Atdheu dhe Liria. Qyteti i Klinës edhe sivjet, si në çdo qershor që 17 vjet, ishte vendtubim dhe vendtakim i artdashësve të folklorit burimor shqiptar të të gjitha trojeve etnike”, ka thënë Bashota.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …