Në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, sot në Klinë është mbajtur tubim mortor me rastin e identifikimit dhe varrimit të Sefer Azem Krasniqit nga fshati Qypevë e Ulët të Klinës, i cili ishte zhdukur më 4 prill 1999 në fshatin Kralan të Gjakovës. Identifikimi i mbetjeve mortore të të ndjerit është bërë me ADN pas plot 17 vite pritje dhe ankthi të familjes të cilët deri tash nuk kanë ditur asgjë për fatin e familjarit të tyre. Para familjarëve të të ndjerit dhe atyre që kanë akoma persona të zhdukur, personaliteteve të shumta të jetës politike e kulturore, nënkryetari i Komunës së Klinës, Enver Berisha, ka thënë se familjarët e Komunës së Klinës edhe pas 18 viteve akoma jetojnë në ankth dhe pritje për zbulimin e fatit të më të dashurve të tyre të cilët u kidnapuan nga forcat serbe. “ Klina tash e 18 vjet përjeton dhimbje. Ne si institucion jemi munduar sadopak që të nderojmë të dashurit tonë duke skalitur emrat e tyre në shesh që t’ju tregojmë gjeneratave të ardhshme se në Kosovë dhe për Kosovën kanë rënë djemtë dhe vashat më të mira të këtij vendi”, tha Berisha.
Në emër të Shoqatës së Personave të Zhdukur në Klinë, foli Zeqir Morina, i cili ndër të tjera tha se falë gjakut të Seferit dhe gjithë atyre që ranë për këtë vend, sot e gëzojmë lirinë. Ndërsa Haki Kosumi nga Asosacioni i Shoqatave të Personave të Zhdukur, u shpreh se Seferi dhe të tjerët janë gurthemeli i shtetit të Kosovës.
Mbetjet mortore të Sefer Krasniqit, janë varrosur te “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, ku janë të varrosur edhe dëshmorët dhe martirët e kombit të Komunës së Klinës. Fati i personave të zhdukur në këtë komunë akoma nuk është zbardhur i tëri pasi që janë edhe mbi 50 familje të cilët janë në kërkim të familjarëve të tyre të rrëmbyer nga forcat serbe në Kralan dhe pjese tjera të Kosovës.