Në Klinë vihet gurthemeli për ndërtimin e objektit të ri shkollor “Ismet Rraci”

Në Klinë, është vënë gurthemeli për ndërtimin e godinës së re shkollore “Ismet Rraci”, kostoja financiare e të cilës është mbi 1 milion euro. Gurthemelin për ndërtimin e shkollës së re që ka shënuar edhe fillimin zyrtar të punimeve e kanë vënë Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, dhe Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuqi, të cilët janë pritur me këngë e valle nga nxënës dhe arsimtarë të kësaj shkolle si dhe qytetarë të shumtë. Ky është njëri ndër projektet me të mëdha kapitale në këtë komunë në infrastrukturën shkollore. Vënia e gurthemelit për ndërtimin e shkollës së re ka gëzuar pa masë nxënës, arsimtarë dhe prindër të qytetit të Klinës, të cilët kanë falënderuar pushtetin lokal dhe MASHT-in për investim në ndërtim të objektit të ri që ka qenë më se i domosdoshëm.

Ndërtimi i objektit të ri ka qenë premtim i Kryetarit të Klinës, Sokol Bashota, i cili tashme po jetësohet për të krijuar kushte shumë më të favorshme për zhvillimin e procesit edukativo- arsimor. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka uruar nxënësit, arsimtarët dhe prindërit për fillimin e punëve në ndërtimin e shkollës së re. “Sot po fillon ndërtimi i një godine të re, e cila do të përmbush standardet evropiane për një cilësi më të mirë në këtë shkollë. Ky është vetëm suksesi i radhës në mesin e shumë investimeve tjera që janë bërë në këtë Komunë, e për këtë një falënderim shkon edhe për MASHT-in dhe Qeverinë e Kosovës, për mbështetje sidomos në këtë projekt madhor”, tha Bashota.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ndërkaq ka thënë se Kryetari i Klinës Bashota ka qenë i pa kompromis në kërkesat e tij për çdo projekt në Komunën e Klinës dhe kjo është njëra ndër shkollat më të bukura në Kosovë. Ai potencoi përkushtimin e institucioneve të shtetit për përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Kurse, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se kjo shkollë është ndër më modernet, ku do të krijohen parakushte për arsim sa më cilësor.

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “ Ismet Rraci” në Klinë numëron 1500 nxënës dhe 60 mësimdhënës. Objekti i saj është ndërtuar shumë vite më parë, ndërsa me ndërtimin e objektit të ri krijohen kushte shumë më të mira në procesin edukativo-arsimor.

Në Komunën e Klinës janë ndërtuar edhe 5 objekte të reja, si dhe janë shtuar hapësira tjera shkollore.

Pas përfundimit të ceremonisë së gurthemelit, Kryetari i Klinës Sokol Bashota së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe Zëvendëskryeministrin, Hajredin Kuqi vizituan familjen e Heroit të Kombit, Mujë Krasniqi – Kapuçi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …