(Ekspozita:”Dëshmi të terrorit, gjenocidit e spastrimit etnik u ekspozua në ambientet e “Mësonjëtores së Parë Shqipe” në Korçë)
Pas Prishtinës dhe Tiranës, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës i Ministrisë së Drejtësisë (IHKL) në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës, në Muzeun Kombëtar të Arsimit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” në Korçë ka hapur ekspozitën tematike “Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, të autores Fetnete Ramosaj, bashkëpunëtore profesionale në IHKL. Organizimi dhe hapja e ekspozitës u bë nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo.
Të dielën e 22 majit, hapësira e Muzeut Kombëtar të Arsimit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” ishte e vogël për t’i zënë të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në hapjen e kësaj ekspozite. Intelektualë të shquar, historianë, pedagogë, përfaqësues të institucioneve, njerëz të kulturës e të artit, qytetarë të Korçës, studentë, nxënës, kishin ardhur për të bashkëndjerë me sakrificat e mëdha të vëllezërve nga Kosova.
Në fjalën e hapjes, drejtoresha e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, artistja e mirënjohur Zamira Kita, duke e vlerësuar lartë përgatitjen e ekspozitës mbi terrorin dhe gjenocidin serb, ndër të tjera tha se jemi mbledhur për një aktivitet shumë të rëndësishëm, që është unik në llojin e vet, është shumë i veçantë, me shumë emocion, me shumë mendim brenda, me shumë kujtime. “Përpara disa kohësh duke e ndjekur nga mediat dhe nga miqtë tanë në Tiranë, kemi mësuar se çfarë ishte kjo ekspozitë dhe se çfarë evokonte ajo. Menjëherë na binin në mend ditët e vështira të Kosovës sonë të dashur dhe personalisht po i thosha Fetnetes se sa shumë emocione kemi pasur në ato kohë kur vëllezërit tanë kosovarë arritën në qytetin tonë për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje, dhe korçarët si e gjithë Shqipëria i mbështetën ata”.
Ndërkaq për kryebashkiakun, Sotiraq Filo kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme dhe e veçantë në llojin e saj, duke na e kujtuar gjithë gjenocidin dhe luftën e kryer në Kosovë. “Shtatëmbëdhjetë vite më parë situata në Kosovë ka qenë krejtësisht e ndryshme, ka qenë një situatë gjenocidi, të ushtruar mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, e cila çoi edhe në eksodin masiv, të cilin që të gjithë ne e mbajmë në mend. Një pjesë e konsiderueshme e vëllezërve tanë nga Kosova që u detyruan të lënë vendlindjen e tyre dhe erdhën drejt Shqipërisë, erdhën edhe në zonën e Korçës, kryesisht pjesa e të dëbuarve që lëvizën nga pjesa e Maqedonisë. Dhe ashtu si edhe në pjesën veriore të Shqipërisë, në zonën e Kukësit, gjetën edhe këtu tek ne mikpritjen tradicionale shqiptare, ndamë me vëllezërit nga Kosova çdo gjë, bukën po edhe strehën. Më vjen mirë që tani pas 17 vitesh situata në Kosovë është krejtësisht ndryshe. Kosova ashtu si Shqipëria, ka hyrë tashmë në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian, ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe shumë shpejt pritet të marrë edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave. Pra, rruga e integrimit evropian është një rrugë e pakthyeshme për popullsinë e saj. Gjithsesi asnjëherë nuk është e tepërt që historia të kujtohet. Ngjarjet e shtatëmbëdhjetë viteve më parë të kujtohen për të parë dhe për të marrë leksionet që këto ngjarje na i japin të gjalla edhe sot”.
Autorja e ekspozitës, Fetnete Ramosaj, duke i falënderuar për organizimin dhe pjesëmarrjen e madhe, theksoi se ndihet e lumtur që ekspozita është hapur në Muzeun Kombëtar të Arsimit, i cili ka një rëndësi të madhe, pikërisht në Korçë, në qytetin i cili ka bërë histori në aspektin e luftës për liri, të dijes dhe të kulturës, vend ky nga i cili buron shkolla e parë shqipe. Ajo në emër të saj dhe të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, falënderoi Bashkinë e Korçës, e veçanërisht kryebashkiakun Filo, dhe gjithë stafin që e bënë të mundur organizimin dhe hapjen e ekspozitës në Korçë. Nëpërmjet kësaj ekspozite me mbi 200 fotografi e faksimile dokumentesh, të cilat dëshmojnë qartë terrorin, gjenocidin dhe spastrimin etnik të kryer nga forcat okupuese të Serbisë në Kosovë, mesazhi që përcillet është lufta kundër harresës dhe që gjenocidi i kryer në Kosovë të mos mbetet i pandëshkuar. Gjatë kohës sa ishte e hapur ekspozita, u ndoq me interes nga shumë intelektualë dhe qytetarë të Korçës e më gjerë, por edhe nga vizitorë të huaj, fluksi i të cilëve është i madh në qytetin e Korçës.