Në Palestrën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, me pjesëmarrjen e qindra të rinjve, nxënës të shkollave të mesme në Ferizaj, prirë nga Nënkryetari i Komunës, Lulzim Aliu, drejtues e përfaqësues të institucioneve të sigurisë, drejtësisë e institucioneve sociale e shëndetësore, anëtarë të Mekanizmit Ndërinstitucional Kundër Dhunës në Familje, u mbajt bashkëbisedim me nxënësit e shkollave të mesme në kuadër të fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.
Në këtë bashkëbisedim me nxënës, drejtuesit institucional vunë theksin mbi bashkëpunimin e të gjithë akterëve institucional dhe mbarë shoqërisë që të bashkuar të luftojmë kundër dhunës me bazë gjinore e ku me fjalën e tyre u paraqitën Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Ismet Dervishi, Prokurori nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Avdullah Abedini, Nënkryetarja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Kreshnike Zymberi Beqiri, Adelina Rexhepi Braha – Drejtore e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj si dhe drejtori i OSBE-së për Rajonin e Gjilanit, Igli Totozani.
Në këtë bashkëbisedim të pranishmëve iu drejtuan edhe zyrtarë e përfaqësues nga institucione tjera, organizata joqeveritare e ku gjithashtu nxënësit paraqitën pyetjet, komentet mbi veprimet institucionale dhe të gjithë shoqërisë që janë ndërmarr dhe duhet të ndërmerren kundër dhunës me bazë gjinore.