Është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë paketa anti-shpifje, e cila ka shkaktuar shumë debate ditët e fundit midis gazetarëve dhe mazhorancës. 82 deputetë dhanë votën e tyre për paketën për të cilën kryeministri Edi Rama thotë se do të luftojë lajmet e rreme dhe shpifjet në median online. Vetëm 13 deputetë u shprehën kundër kësaj pakete, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim. Me paketën e re, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca për gjobitjen dhe deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se kanë publikuar shpifje apo lajme të rreme.
