Në Malishevë 14 ditë pa asnjë të prekur me COVID-19

U mbushën 14 ditë, apo dy javë, që në Komunën e Malishevës, nuk është regjistruar asnjë rast i prekur me COVID-19, dhe të gjitha mostrat e testeve të bëra, kanë rezultuar negativ, duke e rritur kështu shpresën se nuk do të ketë raste të reja. Aktualisht në Komunën e Malishevës, janë edhe tre pacient aktiv me COVID-19, të cilët presim që në ditët në vijim të shërohen plotësisht, sikur edhe 72 rastet e tjera që janë shëruar. Por kjo situatë e qetësisë me COVID-19 në Komunën e Malishevës, nuk do të thotë se jemi plotësisht të mbrojtur nga virusi korona. Për të mos pasur raste të reja qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë rregullat dhe udhëzimet e institucioneve shëndetësore, për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, duke mbajtur distancë, duke përdorur masat mbrojtëse, pastaj duke u rezervuar nga daljet pa nevojë dhe duke i ikur vendeve ku ka frekuentim të madh të qytetarëve. Për këtë qëllim, sonte pas publikimit të rezultateve të fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i ka falënderuar qytetarët e Komunës së Malishevës, për durimin, disiplinën dhe vetëpërmbajtjen që kanë treguar gjatë kësaj periudhe, dhe ju ka bërë thirrje qytetarëve, që të vazhdojnë ti zbatojnë masat për mbrojtje nga COVID-19. “Sot u bënë dy javë që nuk kemi raste të reja me COVID-19, por kjo nuk na jep asnjë të drejtë që të lirohemi nga kjo gjendje, pasi ende jemi në situatë të gjendjes emergjente në shëndetësi, për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe virusi ende është përreth nesh. Ta ruajmë qetësinë dhe të vazhdojmë të sillemi ashtu siç na udhëzojnë institucionet përgjegjëse shëndetësore në vend, në mënyrë që sa më shpejt të dalim nga kjo situatë”, tha nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtuar qytetarëve të Komunës së Malishevës. Gjendja me COVID-19, në Komunën e Malishevës, është kjo: 76 të prekur me COVID-19, prej tyre 72 janë shëruar plotësisht, 3 persona janë ende aktiv dhe në proces të shërimit të plotë, ndërsa 1 person ka rezultuar me fatalitet.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …